Shqipëri, stabilizohet moti në jug, veriu mbulohet nga bora
Teksa reshjet e shiut kanë pushuar në Shqipëri, e gjithë vëmendja është drejtuar nga veriu.....

Teksa reshjet e shiut kanë pushuar në Shqipëri, e gjithë vëmendja është drejtuar nga veriu. Në Theth janë të bllokuar rreth 200 persona, ndërsa në Kukës reshjet e dëborës kanë bërë që emergjencat civile të jenë në gatishmëri.
Përgjatë gjithë natës, dhjetëra borëpastruese kanë pastruar akset kryesore, duke hedhur më pas kripë, në mënyrë që të shmanget bllokimi i rrugëve.
Ndërkohë, pavarësisht se lumi Vjosa është tërhequr në shtrat, banorët e Fierit, Vlorës dhe Fushë - Krujës po përballen me dëmet që i kanë lënë pas përmbytjet. Ata duken mjaft pesimistë për dëmshpërblimet, duke u shprehur se asnjë nuk është interesuar për ta, edhe pse janë përmbytur disa herë.
Më herët, kryeministri, Edi Rama, e ka mbledhur Komitetin e Emergjencave, ku u ka bërë me dije se ka nisur vlerësimi i dëmeve dhe u premtoi dëmshpërblime.
Ndërkohë, në Tiranë kanë nisur hetimet për të zbuluar shkakun e përmbytjes së autostradës Tiranë - Durrës, e cila u ka shkaktuar dëme të pallogaritshme bizneseve. (Luljeta Ndoka, TVM2)
