Maqedoni
Sundimi i ligjit, Bejli: Kanë filluar reformat esenciale
04.12.2017 17:44
Ambasadori Bejli vlerëson se vendi po bën hapa pozitivë sa i përket sundimit të ligjit...

Sipas tij, vërehet ecuri në reformat në gjyqësi, sidomos për pavarësinë e gjykatave, por edhe në shërbimet e inteligjencës.
“Maqedonia ka filluar rrugëtimin pozitiv, unë shoh reforma esenciale për ta kthyer sundimin e së drejtës, gjykata të pavarura, reforma në shërbimet inteligjente dhe zgjidhjen e problemit të përgjimeve. Me rikthimin e sundimit të së drejtës me anë të reformave, Maqedonisë po i lehtësohet rruga drejt eurointegrimeve”,- tha ambasadori i ShBA-ve në Maqedoni, Xhejs Bejli.
Por, rruga eurointegruese, sipas Bejlit, bëhet duke ruajtur partneritetin me NATO-n dhe BE-në e duke zgjidhur kontestin e emrit me Athinën. Sipas tij, edhe në këtë drejtim shihet përmirësim.
“ShBA-ja dhe NATO-ja po mundohen që sa më shpejt ta anëtarësojnë Maqedoninë në këtë të fundit. Mendoj se rruga për në NATO i ka dy çelësa, njëra është duke e mbajtur shtetin në drejtimin e organizatës euroatlantike dhe e dyta është rënia dakord me Greqinë për çështjen e emrit. Shohim përmirësim në këtë drejtim”,- theksoi ambasadori i ShBA-ve në Maqedoni, Xhejs Bejli.
Në debatin për bashkëpunim në luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e sigurisë në vend, të organizuar në Fakultetin e Sigurisë në Shkup, Bejli ka kritikuar ndërkohë anëtarët e KShZ-së për bonusin prej 4 rrogash të cilin e kanë miratuar për veten e tyre pas përfundimit të zgjedhjeve lokale.
Këtë, sipas tij, e kanë bërë edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare, ku ata kanë miratuar një bonus prej 5 rrogash për vete. Shqetësues është fakti, sipas Bejlit, jo që janë paguar për punën shtesë, që për këtë vendim për të cilin kanë votuar anëtarët e të gjitha partive, por anëtarët e KShZ-së e kanë marrë në mënyrë jotransparente, pas dyerve të mbyllura, e për këtë vendim nuk kanë reaguar as trupi mbikëqyrës në Kuvend për punën e KShZ-së e as mediat.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
