Avokati i Popullit dhe “Legis”, hulumtim për trajtimin e migrantëve
Shoqata joqeveritare “Legis” në bashkëpunim me Avokatin e Popullit....

Shoqata joqeveritare “Legis” në bashkëpunim me Avokatin e Popullit, kanë bërë hulumtim gjashtëmujor për gjendjet dhe qasjen në të drejtat dhe mbrojtjen nga shkeljet e të drejtave të njeriut të cilët konsiderohen si refugjatë apo migrantë, pavarësisht statusit juridik dhe mënyrës së qasjes drejt Maqedonisë.
Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, gjatë prezantimit të dokumentit për politikë publike “Qasje në të drejtat dhe mbrojtjen e grupeve të ndjeshme të njerëzve të njohur si refugjatë apo emigrantë”, ka kërkuar bashkëpunim më të fuqishëm mes institucioneve dhe sektorit joqeveritar, sepse së bashku mund të bëhet më shumë rreth kësaj problematike. Sipas tij, në çdo krizë të refugjatëve me rëndësi është dimensioni human. “Raporti i ngurtë i institucioneve dhe komunikimi me autoritetet është problematik. Refugjati nuk do të harrojë nëse ndonjë person zyrtar ka pasur raport johuman me të”,- tha ai.
“Me “Legis” bëmë vizita të përbashkëta në fshatrat Vaksincë, Llojan dhe Sopot, pasi që ishte mbyllur ruta ballkanike. Në ato fshatra gjetëm grupe të mëdha të personave të cilët nuk janë evidentuar, të cilët janë në rrezik potencial për t’u bërë viktima nga çdolloj aspekti. Ai masivitet mund të vijë deri te dukuritë e ndryshme devijuese, përfshirë edhe tregtinë me njerëz”,- theksoi avokati i popullit, Ixhet Memeti.
Memeti theksoi se ky hulumtim “do të jetë erë në kurriz për të gjitha dobësitë e konstatuara të Avokatit të Popullit”.
Ai konsideron se edhe të huajt të cilët kanë hyrje ilegale në vend, duhet të trajtohen nëpër procedura, e jo jashtë prej tyre, sepse kjo është rrezik edhe për tërë shoqërinë. (Besim Abdullai, TVM2)
