Maqedoni
Shtyhet seanca për rastin “Total”, Llatas kërkon “bombat” të mos jenë dëshmi
05.12.2017 14:01
Është shtyrë për më 7 dhjetor seanca kryesore për rastin “Total”, ku i akuzuar është Dragan Pavlloviq - Llatas për “fshehjen e tatimit personal”...

Gjykata anuloi seancën për shkak të mungesës së përfaqësuesve të dy kompanive “Total Marketing” dhe “Total Media Centar”, të cilët është dashur t’i caktojë themeluesi i këtyre kompanive, Dragan Pavlloviq - Llatas. Gjykatësja i dha një mundësi të fundit palës mbrojtëse që deri të enjten të përcaktojë përfaqësues, në të kundërtën ata do t’i caktojë gjykata. Pala mbrojtëse, ndërkohë, kërkoi plotësimin e listës së dëshmive.
“Ata po thirren se disa dëshmi janë siguruar në mënyrë të paligjshme dhe kërkojnë të ketë seancë parapërgatitore në të cilën do të mund të plotësohet lista e dëshmive të tyre. Megjithatë, gjykata tha se nuk ka nevojë për një gjë të tillë dhe se të drejtën e prononcimit ata do ta kenë në seancën kryesore për shqyrtim, e cila në fakt është stadium themelor i procedurës që mundëson barazi të të dyja palëve për t’i treguar provat”,- deklaroi Gavrill Bubevski nga PPS.
I akuzuari, Dragan Pavlovic - Llatas, kërkon që bisedat e përgjuara të mos jenë dëshmi dhe për këtë të vendos Gjykata e Apelit, njësoj siç ka vendosur në rastin “Ryshfeti” të Zoran Zaevit, ndërsa për të përcaktuar përfaqësues të kompanive të tij kërkon paraprakisht t’i hiqet ndalesa e nënshkrimit për të mos përfunduar më vonë në paraburgim.
“Unë kam ndalesë nga Gjykata Penale që të nënshkruhem si drejtues dhe jam në pritje që kjo gjykatë, e cila ka shqiptuar këtë vendim, të heq të njëjtën nëse dëshiron që të përcaktojë përfaqësues të kompanive. Unë kam dërguar kërkesë dhe jam në pritje të përgjigjes, sepse mua askush nuk më garanton se nëse nënshkruhem tani si drejtues i kompanive, në ndonjë akt tjetër nuk do të zbatohet masa e paraburgimit ndaj meje, pasi që nuk e kam respektuar masën paraprake për ndalesë të nënshkrimit”,- u shpreh i akuzuari, Dragan Pavloviç - Llatas.
“Personi fizik pronar i Ndërmarrjes “Total Marketing” dhe “Tatal Media Center” është i dyshuar se nga viti 2008 deri në vitin 2015, me qëllim që ai dhe personat juridikë t’u shmangen tatimeve në llogaritë përfundimtare dhe paraqitjeve të tatimeve, ka dorëzuar të dhëna të rrejshme.
Personat juridikë e kanë dëmtuar për 121 mijë euro, ndërkaq personi fizik për 63 mijë euro. Gjykatësja, Sofçe Gavrillova - Efremova, e cila e udhëheq rastin në fjalë, tha se për këtë vepër penale i akuzuari mund të dënohet me të paktën katër vite burg.
REXHEP QAMILI
