Belgjika çerekfinalist i fundit
Belgjika është ekipi i tetë çerekfinalist në Kampionatin Botëror, pasi mundi SHBA-në 2-1…
Belgjika është ekipi i tetë çerekfinalist në Kampionatin Botëror, pasi mundi SHBA-në 2-1. Kombëtarja e drejtuar nga Marc Wilmots zhvilloi një 90 minutësh mjaft të mirë, por fati nuk ishte me ta, pasi rastet pa fund dhe gjuajtjet e shumta të tyre në drejtim të portës, nuk u finalizuan me gol dhe ndeshja shkoj në shtesë.
Wilmots vendosi menjëherë të bëjë zëvendësime, largoi Divock Origi dhe aktivizoi Romelu Lukaku-n, i cili u kthye menjëherë protagonist i kësaj ndeshjeje.
Në minutën e 93 Lukaku dhuroi një top të bukur për Kevin de Bruyne, i cili pas shumë rasteve të humbura në kohën e rregullt, tani nuk gaboi dhe e dërgoi topin në rrjetën e Tim Hoëard. Pas këtij goli belgët u tërhoqën duke kërkuar të ruajnë këtë rezultat dhe të ndëshkonin me kundërsulm.
Në minutën e 105 ishte sërish Lukaku. Këtë herë jo duke asistuar për shokët e tij, por ishte autor i golit të dytë. Edhe pse kishin ngelur vetëm 15 minuta nga fundi dhe gjendeshin në disavantazh të dy golave, të besuarit e gjermanit Klinsmann nuk u dorëzuan dhe u hodhën në sulm me të gjitha forcat. Julian Green, i aktivizuar në minutën e 105, vetëm 2 minuta më vonë shkurtoi diferencën.
Më pas, pavarësisht rasteve, SHBA nuk arriti ta çojë ndeshjen te 11-metërshat dhe me këtë rezultat tashmë bëhet ekipi i 24-t që largohet nga ky Botëror. Ndërsa Belgjika do të ndeshet me Argjentinën e Lionel Messit në çerekfinale, një ndeshje me të vërtet e paparashikueshme, duke parë edhe atë që kanë paraqitur të dyja ekipet deri tani.
Duhet cekur që trajneri i Belgjikës, Marc Wilmots edhe këtë herë nuk preferoi të aktivizojë për asnjë minutë të vetme shqiptarin Adnan Januzaj, edhe pse ndeshja shkoi në shtesë.