Botë
Veseli pro marrëveshjes për Demarkacionin. Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, kundër
05.12.2017 16:14
Kosova duhet t’i shënjojë sa më shpejt vijat e saj kufitare, përfshi edhe Demarkacionin me Malin e Zi dhe me Serbinë....

Kosova duhet t’i shënjojë sa më shpejt vijat e saj kufitare, përfshi edhe Demarkacionin me Malin e Zi dhe me Serbinë, ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherit edhe kryetar i PDK-së, Kadri Veseli.
Ai këto komente i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku çështja e Demarkacionit nuk u diskutua.
“Më lejoni të jem i drejtpërdrejtë në këtë çështje. Sa më shumë vonohemi, aq më shume po e dëmtojmë shtetin tonë dhe perspektivën qytetare drejt integrimeve euroatlantike. Ne duhet t’i shënjojmë kufijtë sa më shpejt për arsye se është çështje e sovranitetit. Sa më shpejt e përcaktojmë kufirin tonë, aq më shumë e përforcojmë sovranitetin tonë. Unë e di se ka emocione në këtë çështje, por ne jemi shtet i pavarur dhe sovran, dhe na duhet vendimmarrje politike dhe shtetërore. Duhet të përfundojë çështja e shënimit të kufirit me Malin e Zi dhe të kalojmë menjëherë nga Serbia”,- deklaroi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Por, në pozicion të kundërt me Veselin është deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila ka deklaruar se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për Demarkacionin është e dëmshme për Kosovën, pasi i fal tokë të Kosovës vendit fqinj.
“Pse Zoti Haradinaj e procedoi në Kuvend marrëveshjen aktuale që i fal mbi 8200 hektarë tokë, për sa kohë ai është dashur të tërhiqet nga kjo marrëveshje në momentin e parë, por siç duket ka ndryshim në qëndrim dhe ne ende nuk e kemi të qartë se çka po do Haradinaj të bëjë me këtë çështje”,- u shpreh Albulen Haxhiu nga Vetëvendosje.
Megjithëse kryeministri Haradinaj votoi për procedimin e marrëveshjes në Kuvend, kundër kësaj marrëveshje janë deklaruar partia e tij Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, të cilat janë pjesë e qeverisë, por marrëveshjen në fjalë e kishin kundërshtuar së bashku me Vetëvendosjen edhe me përdorimin e gazit lotsjellës derisa ishin në opozitë.
Qeveria e Kosovës, të hënën, mori vendim që të procedojë në Kuvend projektligjin për ratifikimin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, bashkë me të gjeturat e Komisionit Shtetëror për Shënimin e Kufirit, të dhënat e të cilit flasin se marrëveshja në fjalë është bërë në dëm të territorit të Kosovës.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
