Bie tendenca për të penguar buxhetin, Xhaferi cakton kryesues në Komisionin për Buxhet
Komisioni për Financa dhe Buxhet vazhdoi diskutimin e përgjithshëm të propozim buxhetit të RM-së për vitin 2018....

Komisioni për Financa dhe Buxhet vazhdoi diskutimin e përgjithshëm të propozim buxhetit të RM-së për vitin 2018, por me kryesues të ri, njofton “TVM2”.
Pas shumë pezullimesh, nga ana e kryetares së Komisionit, Liljana Kuzmanoska, nga radhët e VMRO-DPMNE-së, kryeparlamentari, Talat Xhaferi, ka autorizuar deputetin e LSDM-së, Vasko Kovaçevskin, që të kryesojë me seancën pasi kanë ngelur edhe katër nga 10 ditët e parapara me rregullore për diskutim të buxhetit.
“Dua t’u njoftoj se kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, thirri vazhdimin e seancës së 12 për financa dhe buxhet në harmoni me nenin 120, paragrafi 3 i Rregullores së Kuvendit të RM-së, njëkohësisht, kryetari i Kuvendit më autorizoi mua, deputetin Vasko Kovacevski, si anëtar të Komisionit të kryesoj me seancën e 12. Vazhdojmë me diskutimin e përgjithshëm të propozim buxhetit të RM-së për vitin 2018”,- theksoi kryesuesi me Komisionin, Vasko Kovaçevski.
Shumica konsideron se ka qenë e detyruar të ndërmarrë këtë hap dhe u bëri thirrje deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe kryetares së Komisionit që të kthehen në punimet e komisionit, të rimarrin drejtimin e seancës dhe të arsyetojnë amendamentet që kanë dorëzuar.
“Ishit dëshmitarë se në disa ditë të kaluara caktohej seancë e këtij komisioni dhe 20 minuta para fillimit anulohej. Kjo ndodhi edhe sot, duhej të fillonte në orën 11, dhe në 10:40 morëm mesazhin se komisioni është shtyrë në kohë të pacaktuar. Por, dua të përcjell apel deri te kolegët e VMRO-DPMNE-së se duhet të vijnë dhe të përfshihen në diskutimin për Buxhetin pasi është debat me rëndësi. Duhet të vijnë dhe të mbrojnë shumë amendamente që propozuan rreth buxhetit të RM-së për 2018-n, më duket se janë rreth 200 amendamente”,- theksoi zëvendëskoordinatori i LSDM-së, Jovan Mitrevski.
Gjatë diskutimit, zëvendësministrja e financave edhe një herë dha sqarime për projektimin e buxhetit për vitin 2018. Sipas saj, rritja e buxhetit për 4.7% bazohet në klimën e favorshme ekonomike, arkëtimin e të hyrave tatimore dhe rritjen e akcizës për karburante.
“Parashikimet e buxhetit për vitin 2018 janë bazuar në të dhëna reale dhe në përputhje me parashikimet e BB-së dhe FMN-së në 3.2% të BPV-së. Mund të themi se një nga shkaqet për të parashikuar rritjen e buxhetit për 4.7% është realizimi i të ardhurave tatimore gjatë vitit janar-nëntor të vitit 2017, 4% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, që tregon se kemi lëvizje të favorshme në ekonomi”,- tha zëvendësministrja për financa, Shiret Elezi.
Rreth tekstit të propozim buxhetit janë parashtruar 279 amendamente, shumica nga VMRO-DPMNE.
Debati në Komision zgjat 10 ditë pune dhe më pas kalon në seancë plenare, ku diskutohet edhe pesë ditë të tjera. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
