KShZ merr vendim: Kompensimi prej 4 rrogave, të kthehet

05.12.2017 18:11

Me 9 vota “për” dhe asnjë “kundër”, anëtarët e Komisionit Shtetëror Zgjedhor.....

Me 9 vota “për” dhe asnjë “kundër”, anëtarët e Komisionit Shtetëror Zgjedhor njëzëri miratuan vendimin për t’i kthyer katër pagat e pranuara si kompensim për angazhimin e tyre shtesë gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, njofton “TVM2”.

Sipas vendimit, secili anëtar individualisht do të vendosë nëse paratë do t’i kthejë në buxhet ose do t’i dhurojë si donacion. Kryetari, Aleksandar Çiçakovski, pranoi kritikat për mungesë të transparencës e që ka të bëjë me publikimin e vendimeve.

“Ky vendim, që është lëndë e diskutimit të sotëm, nuk i përballoi gjykimit publik dhe kjo është mjaft e qartë. I pranoj kritikat për transparencë. Konsideroj se kemi punuar me transparencë dhe kemi arritur ta rrisim atë, megjithatë kanë mbetur edhe disa vërejte të cilat u përcollën në publik dhe të cilat do të duhet seriozisht të shohim se si t’i përmirësojmë. Ka lëshime edhe nga unë edhe nga anëtarët e Komisionit, por edhe sa i përket shërbimeve të cilat janë të obliguara që t’i publikojnë vendimet”,- deklaroi kryetari i KShZ-së, Aleksandar Çiçakovski.

Vendimi është i bazuar në nenin 19 të Kodit Zgjedhorë, nga i cili u arsyetuan paraprakisht shumica e anëtarëve të komisionit.

Ata thanë se kanë miratuar një vendim të tillë sepse kanë qenë të angazhuar jashtë orarit të punës, por për shkak të presionit publik ata kanë vendosur për t’i kthyer paratë.

Vendimi i anëtarëve të KShZ-së i dedikohet vetëm kompensimit për zgjedhjet e fundit lokale, ndërkaq ata veç këtyre  kompensimeve kanë marrë kompensime shtesë edhe për zgjedhjet parlamentare, si dhe për zgjedhjet e anuluara të parakohshme parlamentare të cilat ishin planifikuar të mbahen në prill të vitit të kaluar.

Informacionin mbi kompensimet e marra nga anëtarët e KShZ-së dje e publikoi ambasadori amerikan në Shkup, Xhes Bejli, pas së cilës vijoi reagimi i ashpër nga publiku për këtë akt të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. (Naim Ramadani, TVM2)