Maqedoni
Zaev në Bruksel: Do të afirmohen përpjekjet për integrimin në BE
05.12.2017 18:20
Një delegacion qeveritar i udhëhequr nga kryeministri, Zoran Zaev, po qëndron për vizitë dyditore në Bruksel, ku janë paraparë takime me zyrtarë të lartë të BE-së...

Zaev pritet që nesër për herë të parë të takojë kreun e Komisionit Europian, Zhan Kllod Junker. Në komunikatën nga Qeveria thuhet se kryeministri do të takojë edhe kreun e Parlamentit të Europës, Antonio Tajanin, përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerinin, dhe eurokomisarin, Johanes Han.
“Këto takime edhe një herë do të konfirmojnë përpjekjet tona në rrugën e plotësimit të qëllimeve tona strategjike që Maqedonia të bëhet anëtare e BE-së. Këto janë mesazhet që kam përcjell edhe në tribunën me temë "Maqedonisë dhe rajoni i Ballkanit perëndimor në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian" në organizim të qendrës për studime politike evropiane”,- ka bërë të ditur Zaevi nga Brukseli.
Ndërsa shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, në një konferencë të përbashkët për media me sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, në Bruksel, u bëri thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të vazhdojnë reformat dhe procesin e pajtimit, si kushte për anëtarësim në BE.
“Kemi diskutuar për Ballkanin perëndimor. Të dy e rikonfirmuam angazhimin tonë ndaj rajonit, i cili ka perspektivë të qartë në Bashkimin Europian, dhe inkurajojmë vazhdimin e reformave dhe procesin e pajtimit në rajon”,- u shpreh shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
Deri në skadimin e mandatit të Komisionit Europian pas dy vitesh BE-ja duhet të arrijë zhvillim në raportet me vendet e Ballkanit, ka deklaruar Mogerini.
GYLTENE SINANI
