Shkëndija me avantazh pas ndeshjes së parë kundër Zimbru
Për kuqezinjët, ishte kjo fitorja historike, e para në kupat evropiane, pas katër ndeshjeve të kaluara, në të cilat u përjetuan tri disfata dhe u regjistrua vetëm një barazim…….
Edhe përkundër paraqitjes jo aq të mirë, Shkëndija e Tetovës ia arriti qëllimit në ndeshjen e raundit të parë eliminator në Ligën Europa, erdhi deri te epërsia prej 2-1 kundër Zimbrus, para sfidës kthyese që javën e ardhshme do të luhet në Moldavi.
Për kuqezinjët, ishte kjo fitorja historike, e para në kupat evropiane, pas katër ndeshjeve të kaluara, në të cilat u përjetuan tri disfata dhe u regjistrua vetëm një barazim.
Avantazhi, për të përzgjedhurit e kroatit Roj Ferençina, një kohë ishte mjaft solid, pas golave të shënuar nga Vruçina dhe Mitrov, por ja që një gabim dhe jovëmendje e vogël në mbrojtje, kushtoi shtrenjtë, me penallti për mysafirët, që u shëndrua në gol dhe që ia rriti dukshëm shpresat ekipit nga Moldavia para sfidës kthyese.
Megjithatë, kuqezinjët edhe përkundër paraqitjes jo aq të mirë dhe të pritur nga ata, dëshmuan se kanë forcë dhe fuqi për të vazhduar më tutje, për të kaluar raundin e parë dhe për të ndarë më pas mejdanin me favoritin, CSKA-n e Sofjes.
Në sfidën kthyese, që do të luhet me 10 korrik në Zimbru, futbollistët e Ferençinas gjithçka që duhët të bëjnë, është të luajnë më mirë se në Shkup, pasi kanë mundësi dhe kualitet. Ndërkohë, përfaqësuesit tjerë nga Maqedonia në Ligën Europa, Metalurgu dhe Turnova, ndeshjet e raundit të parë do ti luajnë nesër.
Metalurgu, do të jetë mysafir i amatorëve Santa Kollomna nga Andora, ndërsa Turnova, në Shkup do të pret ekipin gjeorgjian Chikhura. (Mustafa Ademi, TVM2)