23 vjetori i themelimit të UT-së, Lazim Destani shpallet “Doktor Honoris Causa”

05.12.2017 18:52

Me një akademi solemne, Universiteti i Tetovës ka shënuar përvjetorin e 23 të themelimi të tij....

Me një akademi solemne, Universiteti i Tetovës ka shënuar përvjetorin e 23 të themelimi të tij. Në akademinë solemne rektori i këtij universiteti, Vullnet Ameti, theksoi se UT është i shenjtë për shqiptarët.

“Për shumë kohë ky trualli i përbashkët ka qenë dhe ende vazhdon të jetë vizion pushtimi nga të katër anët. Megjithatë, UT do të mbetet toka jonë e shenjtë, vendi ku u ngjis homonogjizmi kombëtar dhe filloi të jetojë gjuha jonë e ëmbël shqipe, kthim pas nuk ka dhe më fuqishëm se kurrë ne do të vazhdojmë rrugën drejt dijes dhe progresit, drejt të ardhmes së fëmijëve tanë, drejt qytetërimit dhe emancipimit”,- deklaroi rektori i UT-së, Vullnet Ameti.

Ndërsa titulli “Doktor Honoris Causa” që ndahet nga Universiteti i Tetovës për çdo vit, këtë vit iu nda Lazim Destanit.

Në fjalën e tij pas marrjes së titullit “Doktor Honoris Causa”, Destani theksoi se ky titull nuk i takon vetëm atij, por të gjithë atyre që e mbështesin gjatë gjithë kohës.

“Kam privilegj që të jem sot këtu në Universitetin e Tetovës për ta pranuar këtë çmim që më jep ky universitet titullin “Doktor nderi”. Ju faleminderit për vlerësimin e lartë që po më bëni. Ky nderim nuk më takon vetëm mua, por të gjithë atyre që më mbështetën mua, ata janë një varg njerëzish duke nisur nga prindërit, bashkëshortja dhe fëmijët e mi dhe deri tek njerëzit që i kam pasur pranë vetës drejt karrierës sime. Përpjekjet dhe sakrificat për ngritjen e UT-së akoma i kemi të freskëta në kujtimet tona”,- deklaroi afaristi, Lazim Destani.

Në ndarjen e titullit “Doktor Honoris Causa” për filantropin dhe biznesmenin tetovar, z.Lazim Destanin, ishin të pranishëm shumë miq, shokë, familjarë dhe liderë të partive politike shqiptare këtu në Maqedoni.

UT aktivitet për nder të 23 vjetorit të themelimit i ka filluar me homazhe tek busti i dëshmorit të UT-së, Abdylselam Emini, tek varri i rektorit të parë të UT-së, Fadil Sulejmanit, si dhe me aktivitet tjera kulturore artistike e sportive në hapësirat e këtij universiteti. (Visar Sadiki, TVM2)