Erdogan: Jerusalemi, vijë e kuqe për myslimanët
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, paralajmëroi se vendi i tij mund t’i shkëpusë lidhjet me Izraelin......

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, paralajmëroi se vendi i tij mund t’i shkëpusë lidhjet me Izraelin nëse Shtetet e Bashkuara e njohin Jerusalemin si kryeqytet të tij.
Erdogani tha se një veprim i tillë do të kalonte “vijën e kuqe” për myslimanët.
“Zoti Trump, Jerusalemi është vija e kuqe për myslimanët. Ne mund të shkojmë aq larg sa të ndërpresim lidhjet me Izraelin për shkak të kësaj çështje”,- tha Erdogan në një fjalim televiziv.
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar se mund ta njohë këtë javë Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe ta zhvendosë Ambasadën amerikane nga Tel Avivi në qytetin e shenjtë.
Jerusalemi është pika më e nxehtë e konfliktit izraelito-palestinez. Palestinezët e konsiderojnë atë si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.
Izraeli e ka pushtuar Jerusalemin Lindor në luftën e vitit 1967 dhe pretendon se i gjithë qyteti është kryeqytet i tij.
Megjithatë, sovraniteti i Izraelit mbi Jerusalemin nuk është njohur kurrë ndërkombëtarisht dhe të gjitha vendet i kanë ambasadat e tyre në Tel Aviv.
