Kiev, turma pengon arrestimin e Saakashvilit
Mbështetësit e ish-presidentit të Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili....

Mbështetësit e ish-presidentit të Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili, e nxorën atë nga furgoni i policisë, pasi forcat ukrainase të sigurisë bastisën apartamentin e tij në Kiev, e tërhoqën zvarrë nga çatia dhe e arrestuan.
Në një përplasje dramatike midis policisë dhe qindra protestuesve, të cilët bllokuan rrugët në përpjekje për t’i penguar autoritetet që ta largojnë Saakashvilin, ky i fundit u tërhoq nga furgoni, me gjithë rezistencën e policisë, dhe bëri thirrje për largimin nga pushteti të presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko.
“Ju bëj thirrje të nisni protesta paqësore për largimin e Poroshenkos. Nuk duhet të frikësoheni nga asgjë”,- i tha Saakashvili turmës.
Ky zhvillim vjen pasi agjentët e zbatimit të ligjit hynë në apartamentin e Saakashvilit, njëherësh ish-guvernator i rajonit të Odesës, dhe e arrestuan atë nën akuzat se ka lidhje kriminale me ish-presidentin e Ukrainës, Viktor Yanukovych, i cili është rrëzuar nga pushteti.
Dy ditë më parë, Lëvizja e Forcave të Reja e Saakashvilit ka organizuar një tubim masiv në Kiev, duke kërkuar shkarkimin e Poroshenkos.
Protestat fillimisht janë thirrur nga Saakashvili, dikur aleat i Poroshenkos, por atyre u janë bashkuar më pas shumë liderë të partive politike opozitare. Presidenti Poroshenko ka deklaruar se qëllimi i vërtetë i organizatorëve të protestave është të destabilizojnë Ukrainën.
