Al-Hussein në Mianmar, gjenocid ndaj myslimanëve Rohingya
Forcat e sigurisë në Mianmar mund të jenë fajtore për gjenocid kundër pakicës myslimane....

Forcat e sigurisë në Mianmar mund të jenë fajtore për gjenocid kundër pakicës myslimane, Rohingya, tha komisionari për të drejta të njeriut i Kombeve të Bashkuara, Zeid Ra'ad al-Hussein.
“A mund t’i përjashtojë dikush elementet e gjenocidit? Ky është përcaktim ligjor që e bën vetëm një gjykatë kompetente, por shqetësimet janë jashtëzakonisht të larta”,- tha al-Hussein në hapje të një sesioni të jashtëzakonshëm të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së në Gjenevë.
Myslimanët Rohingya në Mianmar janë subjekt i diskriminimit shtetëror me dekada dhe i shtypjes së dhunshme ushtarake në muajt e fundit.
Qysh në muajin gusht, mbi 600,000 Rohingya kanë ikur nga Mianmari në Bangladesh si pasojë e dhunës. Represioni ushtarak ka nisur pas disa sulmeve të kryengritësve Rohingya në shtetin Rakhine, por Qeveria e Mianmarit i hedh poshtë akuzat se ushtria i sulmon civilët.
Në sesionin e OKB-së në Gjenevë, ambasadori i Mianmarit, Htin Lynn, tha se qeveria e tij po punon me Bangladeshin për të siguruar kthimin e të zhvendosurve për rreth dy muaj. Al-Hussein tha se asnjë Rohingya nuk duhet të kthehet në Mianmar nëse nuk ka monitorim në terren.
