Lavrov: Zgjidhen çështjet juridike për detin Kaspik
Pesë shtete kaspike janë pajtuar për “të gjitha çështjet e diskutueshme kryesore” sa i përket statusit juridik të detit Kaspik...

Këtë e ka bërë të ditur ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, pas takimit në Moskë me kolegët nga Azerbajxhani, Irani, Kazakistani dhe Turkmenia. Ai tha se propozim teksti i Konventës për statusin juridik të Detit Kaspik është “praktikisht gati” për nënshkrim nga presidentët e shteteve kaspike në samitin e tyre vitin e ardhshëm në Kazakistan.
Deti Kaspik e ka sasinë më të madhe ujore në botë të rrethuar me kontinent dhe ka burime të mëdha të hidrokarbureve. Nëse juridikisht Kaspiku shpallet det, atëherë të pesë vendet në bregun e tij do t’i shënojnë ujërat territoriale të tyre dhe burimet do t’i shfrytëzonin sipas dëshirës së vet. Por, nëse ai klasifikohet si liqen, të gjitha burimet e Kaspikut dhe profitet nga ato do të ndaheshin në mënyrë të barabartë në mesin e pesë vendeve.
