Maqedoni

“Trajektorja”, shtyhet gjykimi, mbrojtja kërkon të xhirohen seancat. Gruevski: kam punuar sipas të njëjtave ligje, si LSDM

06.12.2017 12:49

Është shtyrë për më 18 dhjetor seanca gjyqësore për rastin “Trajektorja” për shkak të kërkesës së palës mbrojtëse...

Është shtyrë për më 18 dhjetor seanca gjyqësore për rastin “Trajektorja” për shkak të kërkesës së palës mbrojtëse që të mundësohet audio dhe video incizim të seancave, pasi që ata nuk besojnë se gjithçka do të shënohet në procesin verbal gjyqësor. 
 
Avokati i tre të akuzuarve për “provizionet  kineze”, sqaroi para trupit gjykues se kjo kërkesë është e nevojshme për të pasur pasqyrë reale për të gjithë të involvuarit në këtë proces. 
 
“E kërkojmë këtë sepse dëshirojmë që gjithçka që do të thuhet në seancë të mos frikohemi se në çfarë mënyre dhe kontekst do të jetë e njëjta e shënuar në procesin verbal gjyqësor dhe njëkohësisht përmes audio dhe video incizimeve të mundësohet  të kontrollojmë se gjithçka që kemi thënë është e shënuar ashtu”,- tha avokati mbrojtës, Elenko Millanov.
 
Ish-kryeministri Gruevski nuk pranon se ka pranuar ofertën më të shtrenjtë për ndërtimin e aksit rrugor, por potencon se ka ndjekur të njëjtat procedura si LSDM edhe në të kaluarën edhe tani. 
 
“Gjithçka që kemi bërë është në përputhje me ligjin. Kuvendi kishte mbikëqyrje mbi punën tonë dhe pranoi gjithçka. Votuan të gjithë deputetët, përfshirë edhe deputetët e LSDM-së. Unë dhe funksionarët e tjerë të VMRO-së jemi të akuzuar për diçka që qeveria e LSDM-së në të kaluarën e ka bërë dhe vazhdon ende ta bëjë. Qeveria e LSDM-së në të njëjtën mënyrë e sipas të njëjtës procedurë, ka marrë kredi nga  Kina dhe ka financuar  ndërtimin e hidrocentralit “Kozjak”, e tani sërish kur erdhi në pushtet LSDM, në të njëjtën mënyrë dhe procedurë bëri aneks marrëveshje dhe ajo u transformua në ligj, i cili më pas edhe u miratua në Kuvend”,- theksoi i akuzuari në rastin “Traektorja”, Nikolla Gruevski.
 
Gruevski, Peshevski, Janakievski dhe Georgjievski akuzohen nga PPS se në vitin 2012 -2013 kanë marrë më shumë mjete, kanë keqpërdorur autorizimin e tyre dhe kanë pranuar ofertën më të shtrenjtë për tenderim për ndërtimin e aksit rrugor Milladinovci- Shtip dhe Kërçovë - Ohër, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm të përgjithshëm  prej rreth 150 milionë eurosh. 
 
REXHEP QAMILI