Maqedoni

Bruksel, Zaev në takime me zyrtarët europianë

06.12.2017 13:35

Kryeministri Zoran Zaev po qëndron për vizitë dyditore në Bruksel, ku, do të takohet me kryetarin e Komisionit evropian Zhan Klod Junker...

Kryeministri, Zoran Zaev, po qëndron për vizitë dyditore në Bruksel, ku do të takohet me kryetarin e Komisionit Europian, Zhan Klod Junker, me kryetarin e Parlamentit Europian, Antonio Tajani, me përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerini, dhe me eurokomisarin për politikë fqinjësore dhe zgjerim, Johanes Han.

"Me kryetarin e PE-së, Antonio Tajanin, kryetari i KE-së, Zhan Klod Junker, dhe eurokomisarët, Federika Mogerini dhe Johanes Han, edhe njëherë do t'i konfirmojmë marrëdhëniet tona partnere në rrugën e realizimit të qëllimit strategjik që Republika e Maqedonisë të bëhet anëtare e BE-së",- ka shkruar kryeministri, Zoran Zaev, në profilin e tij në Facebook.

Këto janë edhe porositë që ai dje, siç shkruan, i ka porositur edhe në tribunën "Maqedonia dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt anëtarësimit në BE", që e organizon Qendra për studime politike europiane.

"Erdhëm me argumente se janë krijuar ngjarje pozitive pas procesit të gjatë të shtyrë të integrimeve tona në BE. Vazhdojmë të japim rezultate me përkushtim të fuqishëm dhe padyshim vullnet politik, në dobi të qytetarëve. Jemi këtu ta tregojmë gatishmërinë e Republikës së Maqedonisë dhe ta bindim KE-në për të sjellë vendim për fillimin e negociatave për vendin tonë në gjysmën e parë të vitit 2018",- theksoi Zaev.

Pjesë e delegacionit në Bruksel janë edhe zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski, dhe sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski.