Maqedoni
Tatimi personal, fillojnë ndryshimet në procedurat e paraqitjes
06.12.2017 15:14
Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, tatimin personal qytetarët do të mund ta paraqesin në mënyrë elektronike në DAP...

Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, tatimin personal qytetarët do të mund ta paraqesin në mënyrë elektronike në DAP, ndërsa nga viti 2019 DAP do të fillojë t’u dërgojë qytetarëve fletëparaqitjet e plotësuara tatimore.
Projekti njëvjeçar që mundësoi krijimin e veglës së re elektronike të DAP-it – “e-tatim personal i të ardhurave”, tashmë ka përfunduar dhe autoritetet pritet që i njëjti të lehtësojë procedurat për qytetarët gjatë paraqitjes së tatimeve.
“Qëllimi kryesor i projektit është që nga fillimi i vitit 2019, DAP të fillojë t’u dorëzojë qytetarëve fletëparaqitje të plotësuar të tatimit personal, me çka do të zëvendësoheshin radhët e pritjes dhe nevojën për paraqitje që e kishin qytetarët deri tani. Në vitin 2018 do të fillojnë procedurat e paraqitjes elektronike të tatimit personal, që do të lehtësojnë kontaktin me administratën”,- deklaroi ministri i Financave, Dragan Tevdovski.
“I sendërtuam praktikat më të mira europiane e i përshtatëm sipas recetës së Maqedonisë dhe zhvilluam shërbime me të cilat mundemi të ecim krah për krah me administratat tatimore moderne. Reformat në DAP ndjeshëm do të zvogëlojnë kohën e pritjes nëpër sportele”,- tha drejtoresha e DAP-it, Sanja Lukarevska.
“Reformat në financat publike janë hap kyç për përgatitjen e Maqedonisë për t’u anëtarësuar në BE. Transparenca fiskale dhe kontrollet e përforcuara të brendshme publike duhet të jenë prioritet për autoritet e vendit”,- theksoi përfaqësuesi i delegacionit të BE-së në Shkup, Nikolla Bertolini.
Maqedonia për reformat në DAP ka mbështetje prej 6,2 milionë eurove. Projekti për “e-tatim personal të të ardhurave” është financuar me 98 milion e 530 mijë euro.
GYLTENE SINANI
