Maqedoni
Arrestimi i deputetëve, Gruevski: partia që akuzonte për regjim, u kthye në regjim
06.12.2017 15:41
Lideri i VMRO-së, Nikolla Gruevski, ka akuzuar ekzekutivin Zaev se nga një parti që kryefjalë të saj kishte akuzat ndaj regjimit...

Lideri i VMRO-së, Nikolla Gruevski, ka akuzuar ekzekutivin Zaev se nga një parti që kryefjalë të saj kishte akuzat ndaj regjimit, me ardhjen në pushtet vendosi regjimin e vërtetë, duke varrosur thellë demokracinë në vend.
Gruevski ankohet se 12% e deputetëve të VMRO-së dhe koalicionit janë aktualisht në paraburgim dhe kjo, sipas tij, flet për ngulfatje të opozitës.
“Kjo është diçka që nuk ndodh në vendet demokratike, është shkatërrim i demokracisë. Edhe një herë bëj apel deri tek Prokuroria dhe Gjyqësori, në veçanti për Qeverinë që i vuri të gjitha nën kontroll që të mos bëjë gjëra të tilla. Për momentin 5% e të gjithë deputetëve janë në paraburgim ose në burg shtëpiak, kjo është apo 12 për qind e grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së. Kjo mund të ndodh vetëm në një shtet ku demokracia është e varrosur thellë. Partia që deri para gjashtë muajve nuk e hiqte nga përdorimi fjalën regjim, tani bën regjim të vërtetë. Kjo gjë nuk ka ndodhur as në vitin 1949. Veprime të tilla të paligjshme ndaj deputetëve, mbajtja e tyre në pranga dhe pas 16 orësh përcaktim të paraburgimit për shkak se ata ishin në punë... Pse një deputete e përqafon burrin e saj kur ai hyri në Parlament, pasi ka dëgjuar për atë që po ndodh atje, nuk është asgjë më shumë veçse një ngulfatje e opozitës dhe demokracisë”,- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
GAZMEND KURTISHI
