Ekonomi
Efikasiteti energjetik, Bekteshi: vazhdojmë me subvencionimet
06.12.2017 15:57
Efikasiteti energjetik vazhdon të jetë ndër angazhimet kryesore të Ministrisë së Ekonomisë...

Sipas ministrit të resorit, Kreshnik Bekteshit, nga subvencionimi i kolektorëve diellorë për ujë të ngrohtë kanë përfituar 1794 amvisëri, një mijë amvisëri më shumë se vitin e kaluar.
Me rebalancin e vitit 2017 janë paraparë 16 milion denarë shtesë për masën e zëvendësimit të dritareve të drurit me ato PVC.
Bekteshi u zotua se subvencionimet e këtilla do të vazhdojnë edhe gjatë vitit të ardhshëm.
“Në vazhdimësi do të krijohen politika sektoriale që do të kontribuojnë në reduktimin e konsumit të energjisë elektriike, duke përcaktuar masat specifike që do të zbatohen në amvisëri. Edhe në buxhetin e vitit 2018 ne do të vazhdojmë të subvencionojmë sektorin rezidencial duke prezantuar programin e ri për të gjithë qytetarët të cilët do të blejnë shporet për djegie efikase për ngrohje. Gjithashtu masat për vendosjen e kolektorëve diellorë dhe zëvendësimin e dritareve të drunjve në ato PVC do të vazhdojnë edhe në të ardhmen”,- deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Këto masa shërbejnë jo vetëm për ruajtjen e ambientit jetësor, por edhe për zvogëlimin e faturave të energjisë elektrike dhe në nxitjen e përdorimit të energjisë alternative nga ana e qytetarëve, theksoi Bekteshi.
I pyetur, ndërkohë, nëse do të tërhiqen kufizimet për shitje të alkoolit, Bekteshi tha se bisedimet ende vazhdojnë, por Ministria e Ekonomisë do të propozojë që kufizimi të pezullohet.
ERSAN PAJAZITI
