Maqedoni

Rastet “Monstra” e “Kumanova”, temë debati në “Argument” në TVM2

06.12.2017 15:51

Kthimi i aktgjykimit për rastin “Monstra” sërish nga e para jep shpresë se do të dëshmohet pafajësia e të akuzuarve...

Kthimi i aktgjykimit për rastin “Monstra” sërish nga e para jep shpresë se do të dëshmohet pafajësia e të akuzuarve, janë shprehur avokati i mbrojtjes, Naser Raufi, dhe familjari i të akuzuarve, Bedri Ajdari, në “Argument” në TVM2.
 
Sipas Raufit, Prokuroria do të përballet me mungesën e provave të cilat, sipas tij, Prokuroria vetëm i ka cekur në aktakuzë, ndërsa asnjëherë nuk i ka prezantuar. Bedri Ajdari, ndërkohë, beson se prokuroria do të dorëzohet.
 
“Tani në këtë moment kemi vetëm aktakuzën e plotfuqishme. Nuk e kemi as vendimin  e gradës së parë të Gjyqit Themelor as të Apelit, që do të thotë se sipas Ligjit të vjetër për procedurë penale të akuzuarit të prononcohen për fajësinë e vet. Unë shpresoj që Prokuroria do të mbetet në ato prova që i ka dhënë prokuroria përpara që e ka punuar këtë rast. Por, sipas informative që unë i kam për këtë rast, mendoj se prokuroria nuk i posedon provat. Këto prova janë vetëm figura. Këto prova janë cekur vetëm në aktakuzë se posedohen këto prova”,- deklaroi avokati i mbrojtjes në rastin “Monstra”, Naser Raufi.
 
“Unë mendoj se Prokuroria do të tërhiqet dhe nuk do të mund ta vazhdojë lëndën për shkak se mendoj se ka argumente të qarta, prandaj ka sjellë një vendim si vendim i cili aktakuzën e dyshon si të pakompletuar dhe besoj që provat në të ardhmen që duhet t’i prezantojë do t’i mungojnë. Kështu që thellë besoj se nuk do të mund të lëshohet në aventurë dhe të qëndrojë pas asaj aktakuze për të cilën vetë ka kërkuar largimin nga ajo”,- deklaroi familjari, Bedri Ajdari.
 
Edhe avokatja mbrojtëse në rastin “Kumanova”, Artene Ademi - Iseni, pret rigjykim për të dënuarit. Sipas saj, edhe në këtë rast ka shumë shkelje në procedurë, njësoj si në rastin “Monstra”. 
 
“Të njëjtat shkelje janë bërë edhe te rasti “Kumanova”. Nuk mohohet rasti i Kumanovës. Nuk mohohet se këta të akuzuar kanë qenë në atë ngjarje, këtu kemi një situatë tjetër, këtu e luftojmë kualifikimin e veprave penale. Sipas provave dhe dëshmive, nuk kemi të bëjmë me terrorizëm dhe organizatë terroriste dhe Prokuroria në mënyrë selektive i ka trajtuar provat. Nuk është zbuluar as motivi as qëllimi i kësaj ngjarje famëkeqe, nuk janë zbuluar akoma organizatorët dhe për qëllime të kujt ndodhi rasti i Kumanovës. Ka lënë hapësirë dyshimi me shpresë që edhe Gjykata edhe Prokuroria kanë filluar të çlirohen nga ngulfatja politike dhe me shpresë që të kthehet në rishqyrtim edhe rasti i Kumanovës”,- deklaroi avokatja mbrojtëse në rastin “Kumanova”, Artene Ademi – Iseni.
 
Ish-gjykatësi, Fadil Xhelili, pret që gjykatat të çlirohen nga kthetrat e politikës dhe të fillojnë të dëshmojnë profesionalizmin e tyre. 
 
“Me rëndësi është që të kthehet besimi më në fund që gjykatat ta luajnë rolin dhe funksionin  e tyre siç e kanë dhe të kthehen shpresat te qytetarët edhe te ata që ndodhen në burgje, por edhe te të tjerët që në cenimin e të drejtave të tyre mund t’u drejtohen gjykatave”,- u shpreh ish-gjykatësi, Fadil Xhelili.
 
Avokatët e  rasteve “Monstra” dhe “Kumanova” besojnë se të dyja këto raste janë të motivuara politikisht dhe si të tilla janë të montuara. Ata presin që një ditë të dalin në sipërfaqe edhe organizatorët e këtyre rasteve. Avokatët në debat u shprehën optimistë në kthimin e shtetit të së drejtës dhe besimin tek gjykatat.
 
NAIM RAMADANI