Maqedoni
Zgjidhen prokurorët e rinj, Shterjov: Presim kryeprokurorin për emrat e tjerë
06.12.2017 16:29
Këshilli i Prokurorëve ka zgjedhur shefat e rinj të disa prokurorive publike, ushtruesit e detyrës në disa të tjera, si dhe prokurorët e rinj...

Ende nuk dihet kush do të drejtojë me disa prokurori themelore si dhe me Prokurorinë e Lartë. Sipas kreut të Këshillit të Prokurorëve, për këtë do të vendoset pas përzgjedhjes së kryeprokurorit të ri.
“Sipas disa parashikimeve, tani më duhej të kishim zgjedhur Kryeprokurorin. Mendimet e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve ishin të njëzëshme, se duhet të lëmë hapësirë që kur të zgjidhet Kryeprokurori në pozitat e shefave, të ketë mundësi të propozojë kandidatë, veçmas kur përgjegjësitë për gjendjen në Prokurorinë Publike do ta bartë ai. Menduam se është korrekte dhe bëhet fjalë për 1 apo 2 muaj që të dëgjohet ai, pasi që është nga radhët e tona, pra është edhe prokuror edhe anëtar i Këshillit”,- deklaroi kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Kole Shterjov.
Prej sot, me vendim të Këshillit të Prokurorëve, ish-gjykatësi në Gjykatën Kushtetuese, Ismail Dardhishta, do të jetë prokuror publik në Prokurorinë Publike Shtetërore. Meri Trombova zgjidhet në Prokurorinë e Lartë Publike të Manastirit, Biljana Stefçeva në Prokurorinë Themelore Publike në Radovish, ndërsa Hanefi Ameti do të jetë prokuror në Prokurorinë Themelore të Tetovës.
Në seancën e Këshillit të Prokurorëve janë zgjedhur edhe disa ushtrues të detyrës. Ushtruese e detyrës në Prokurorinë Publike për Ndjekje të Krimit të organizuar dhe Korrupsionit është zgjedhur Gordana Smoçovska.
Në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup është zgjedhur Sasho Rajev, në Kumanovë - Teuta Bedriu, Gostivar - Bashkim Iseni dhe në Manastir - Antonio Jolevski. Për vendet e tjera për të cilat në qershor të këtij viti u shpall konkurs dhe nuk janë zgjedhur prokurorët, sipas kryetarit të Këshillit do të publikohet konkurs i ri.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
