Njohja e Izraelit si kryeqytet i Jerusalemit, lumë reagimesh nga e gjithë bota
Lajmi për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit....

Lajmi për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit, ka nxitur reagime ndërkombëtare që variojnë nga shqetësimet tek alarmi. Vendimi i mundshëm i Tump për palestinezët do të ishte “puthja e vdekjes” për procesin e paqes në Lindjen e Mesme.
Sipas Manuel Hassassian, përfaqësuesit palestinezë në Britaninë e Madhe, ndryshimet në politikën amerikane mbi Jerusalemin janë të barazvlefshme me një deklaratë lufte në Lindjen e Mesme.
Reagimi zyrtar i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk ka ardhur ende, por ministri i Arsimit, Naftali Bennett, e cilësoi këtë si një hap të madh drejt paqes dhe u kërkoi vendeve të tjera të ndiqnin shembullin e Shteteve të Bashkuara. Ai shtoi se diçka e tillë do të bindte armiqtë e Izraelit se, Jerusalemi nuk do të ndahet kurrë dhe theksoi se dialogu do të vinte vetëm përmes njohjes së të drejtave të të gjithë njerëzve në rajon.
Njohja e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit ka shkaktuar reagime të ashpra edhe të liderëve botërorë.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar Trumpin se çdo vendim për statusin e këtij qyteti duhet marrë në kuadër të negociatave mes izraelitëve dhe palestinezëve, ndërsa liderët arabë paralajmëruan presidentin amerikan se zhvendosja e Ambasadës amerikane është një provokim flagrant për muslimanët.
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, u shpreh se vendimi i Trumpit mund të ndezë konflikt të ri në Lindjen e Mesme, duke theksuar se Turqia do të shkëpusë të gjitha marrëdhëniet me shtetin hebre. Edhe ministri i jashtëm britanik, Boris Johnson, i sheh me shqetësim raportimet mbi atë që do të thotë presidenti i Shteteve të Bashkuara.
Nëse Trump do të deklarojë atë që pritet, Shtetet e Bashkuara do të bëhen vendi i parë që njeh Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, që prej formimit të këtij të fundit në vitin 1948. Zyrtarë të administratës së Trumpit thonë se Shtetet e Bashkuara do të njohin atë që e quajnë realitet historik dhe aktual, por se gjithsesi kufijtë e qytetit do të mbeten subjekt i marrëveshjes përfundimtare mbi statusin e tij. Gjithashtu, ata theksuan se nuk do të preket as statusi i vendeve të shenjta.
Zyrtarë të lartë të administratës amerikane shprehen gjithashtu se kreu i shtëpisë së bardhë nuk do ta zhvendosë menjëherë ambasadën e ShBA-së nga Tel Avivi në Jerusalem. Izraeli e konsideron Jerusalemin si kryeqytetin e tij, por palestinezët kërkojnë që Jerusalemi lindor të jetë kryeqytet i shtetit të ardhshëm palestinez.
