Bonuset zgjedhore, KShZ publikon vendimet në ueb faqen zyrtare
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve prej mbrëmë ka publikuar në ueb faqen e tij...

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve prej mbrëmë ka publikuar në ueb faqen e tij vendimet për pagesën e kompensimeve për kryetarin, nënkryetarët dhe të punësuarit e shërbimit profesional si dhe të punësuarit në trupat ndihmës të KShZ-së për zgjedhjet lokale 2017, të miratuar në seancën e 173 të KShZ-së.
Bashkangjitur me këtë vendim është publikuar edhe rregullorja me kriteret për përcaktimin e kompensimit për anëtarët e organeve zgjedhore dhe administratën zgjedhore.
Sipas këtij vendimi, kryetari i KShZ-së, Aleksandar Çiçakovski, zëvendëskryetari, Rexhep Prekopuca, si dhe anëtarët e Komisionit, Atanas Urumov, Violeta Duma, Igor Milev, Subhi Jakupi, Sasho Srcev dhe Sillvana Boneva kanë marrë nga katër rroga shtesë.
Bedredin Ibraimi dhe Ermira Asani - Saliu kanë marrë dy rroga shtesë, pasi në këtë periudhë anëtari nga radhët e PDSh-së në Komisionin Shtetëror Zgjedhor u zëvendësua nga anëtarja e Lëvizjes BESA si partia më e madhe opozitare shqiptare në Kuvend momentalisht.
Ndarjen e bonuseve në KShZ jo vetëm për zgjedhjet lokale por edhe për zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të kaluar e bëri publike të hënën ambasadori amerikan, Bejli.
KShZ u arsyetua se kompensimi për orët dhe punën shtesë është ligjor, por Bejli paraprakisht nuk kontestoi ligjshmërinë e ndarjes së bonuseve në KShZ, por mënyrën se si ky vendim u mor pas dyerve të mbyllura, nuk u bë publik as më pas për opinionin dhe askush nga anëtarët e KShZ-së, edhe ata që deri dje ishin shumë të zëshëm si opozitë për veprime të tilla, kësaj radhe nuk reaguan por njëzëri miratuan bonuset për vete.
