Ekonomi
Projekt buxheti 2018, fillon shqyrtimi i amendamenteve, pranohen 6
06.12.2017 17:29
Komisioni për Financa dhe Buxhet mbylli diskutimin e përgjithshëm rreth projektbuxhetit për vitin 2018 dhe filloi shqyrtimin e amendamenteve...

Nga dhjetëra amendamentet e para të parashtruara nga opozita, qeveria pranoi katër amendamente të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, prej të cilëve dy amendamente të modifikuara dhe dy amendamente të Lëvizjes BESA.
Qeveria do të shtojë për pesë milionë denarë shumën e subvencioneve të parapara me buxhet, përkatësisht nga 45 milionë denarë tani parashihen 50 milionë denarë për subvencionimin e koftorëve me paleta.
“Ministria e Financave e pranon amendamentin në vlerë prej pesë milionë denarëve, me çka do t’u bëjë me dije se në suaza të Ministrisë së Ekonomisë veç më janë paraparë masa për subvencionimin e koftorëve për paleta për të gjithë qytetarët të cilët do të aplikojnë në suaza të programeve që do t’i paraqesë Ministria amë në vlerë prej 50% nga vlera e furnizimit të këtyre koftorëve, por jo më shumë se 50 euro”,- deklaroi zëvendësministrja për financa, Shirete Elezi.
Më shumë para do të ketë edhe për zgjidhjen e përkohshme të deponisë në Strugë. Qeveria pranoi amendamentin e deputetëve të Lëvizjes BESA.
“Me këtë amendament ne kërkojmë mjete për zgjidhje të përkohshme me problemin e deponisë në qytetin e Strugës në shumë prej 12 milionë denarë”,- tha Rexhep Memedi nga BESA.
Ministria e Financave dhe Komisioni me shumicë votash miratuan edhe amendamentin e Lëvizjes BESA me të cilin parashihet një kopsht për fëmijë në lagjen Nerez të Shkupit. Më shumë para do të ketë edhe për zonat teknologjike, pasi Komisioni pranoi amendamentin e opozitës maqedonase me të cilin parashihen 10 milionë denarë më shumë për aktivitetet fillestare, për aktivitetet që do duhet të bëhen në këtë zonë TIRS.
Në Komisionin për Financa dhe Buxhet nuk morën pjesë deputetët e VMRO-DPMNE-së, edhe pse kanë për të arsyetuar rreth 200 amendamente nga 279 amendamente sa janë dorëzuar gjithsej.
SHPËTIM NUREDINI
