MAQEDONI-GREQI

Samaras: Gjuha maqedonase u shpik nga komunistët

03.07.2014 14:50

Kryeministri grek, Andonis Samaras, mohon ekzistimin e gjuhës maqedonase dhe sipas tij, ajo është shpikur nga komunistët..........

Kryeministri grek, Andonis Samaras, mohon ekzistimin e gjuhës maqedonase dhe sipas tij, ajo është shpikur nga komunistët.

“Si pikë e parë, nuk e di nëse ekziston gjuha maqedonase”, tha kryeministri i Greqisë, Andonis Samaras.

“Ka shumë gjëra që i kanë shpikur vet komunistët dhe nuk do të dëshiroja të flas për atë, por ajo është periudha”, shtoi më pas Samaras.

Po ashtu, Samaras përgjegjësinë e hedh te autoritetet në Maqedoni, për bllokimin e proceseve integruese, pasi siç theksoi ai, në Këshillin e BE-së u vendos që të mos e kontestojnë rekomandimin për fillimin e negociatave me vendet të cilat aktualisht nuk i plotësojnë kriteret dhe si pasojë e kësaj, u vendos në pikëpyetje  kredibiliteti i procesit të zgjerimit të BE-së.

“Derisa mostolerimi e zëvendëson dialogun, gjërat bëhen shumë të vështira për tu zgjidhur, deri në fund të vështira. Ky është realiteti politik sot. Sa i përket Greqisë, ne vlerësojmë se Shkupi dëshmon mostolerancë të madhe dhe kjo është shenjë e keqe jo vetëm për Greqinë, por për të gjithë botën”, theksoi kryeministri Samaras.

Këto komente Samaras i bëri duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve maqedonas, në konferencën përmbyllëse të presidencës greke me BE-në, me të cilën në gjashtë muajt e ardhshme do të kryesojë Italia. (Naim Sinani, TVM2)