Maqedoni
MASh, rritet buxheti në arsim për 5%, revizioni do t’i përfshijë të gjitha librat me gabime
07.12.2017 12:49
Gjithsej 25.28 miliard denarë, ose 406.55 milionë euro, do të jetë buxheti i vitit 2018 në arsim...

Gjithsej 25.28 miliard denarë, ose 406.55 milionë euro, do të jetë buxheti i vitit 2018 në arsim, që i bie pesë për qind më shumë se vitin e kaluar, bëjnë të ditur nga MASh.
Sipas ministres së Arsimit, Renata Deskovska - Trenevska, për arsim fillor janë parashikuar 45 për qind nga buxheti, 19 për qind për arsim të mesëm, 26 për qind për arsimim të lartë, 6 për qind për standardet studentore, 2 për qind janë parashikuar për shkencë, ndërsa 1.8 për administratën dhe do ketë rritje të bllok dotacioneve për komunat.
“Vitin a ardhshëm do të ketë rritje të konsiderueshme të bllok-dotacioneve për komunat me qëllim të përmirësimit të kushteve nëpër shkolla. Për këtë qëllim janë projektuar 600 milionë denarë më shumë nga buxheti i këtij viti, që është rritje për 4.62 për qind”,- deklaroi ministrja e Arsimit, Renata Deskovska - Trenevska.
Po ashtu, sipas Deskovskës, me revizionin i cili do të realizohet ligjërisht do të përfshihen të gjithë librat në të cilat janë evidentuar gabime, fakte të pavërteta dhe përmbajtje diskriminuese, paragjykime dhe stereotipe.
“Revizioni nuk do jetë revizion i fakteve, por i fakteve të pavërteta. Disa gjëra që kanë ndodhur, jo unë, por asnjë njeri nuk mund t’i fshijë nga historia”,- tha ministrja e Arsimit, Renata Deskovska – Trenevska.
Sa i përket mungesës së disa librave në shkolla, Deskovska tha se në disa shkolla drejtorët nuk kanë dorëzuar kërkesën për furnizim me libra. Diku mungojnë libra që nuk janë përkthyer deri më tani.
Unë gjatë periudhës që po ushtroj funksionin nuk mund të shkruaj libër dhe ta përkthej në gjuhët e bashkësive etnike, tha Deskovska.
Ajo më tej shtoi se të hënën priten të publikohen edhe analizat për atë se sa janë kompatibile librat e Kembrixhit me planprogramet mësimore.
FLUTURA LATIFI
