OPOZITA

Opozita e vendosur në kërkesën për qeveri teknike

03.07.2014 15:41

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, gjatë fjalimit të tij, ripërsëriti se nuk do të kthehet në institucionet derisa të arrihet Qeveri teknike, ndërsa me ton të njëjtë foli edhe kryetari i Këshillit për Siguri në LSDM, Stevo Pendarovski..........

Luftim i përbashkët për arritjen e demokracisë dhe lirisë dhe front i gjerë qytetarësh, janë disa nga pikat e orientimit të veprimit të saj jashtëparlamentarë të LSDM-së opozitare, që u prezantuan në debatin me temë “Çka të bëhet që të fitohet përsëri liria”, nën organizim të opozitës së bashkuar maqedonase, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të sektorit joqeveritarë dhe intelektualë.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, gjatë fjalimit të tij, ripërsëriti se nuk do të kthehet në institucionet derisa të arrihet Qeveri teknike, ndërsa me ton të njëjtë foli edhe kryetari i Këshillit për Siguri në LSDM, Stevo Pendarovski.

“LSDM-ja dhe partnerët e koalicionit nuk kërkojnë Qeveri  teknike për të qeverisur me Gruevskin. Kërkojmë Qeverinë teknike me një mandat të vetëm, për të organizuar zgjedhjet e ardhshme. Nëse Qeveria mendon se mund të fitojë edhe në zgjedhje të ndershme, ky është një shans për të provuar atë”, deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

“Beteja e vërtetë me të, për të ditur vullnetin e popullit, është Qeveria teknike, e cila do të ketë për detyrë që mos të përdoren resurset shtetërore për të blerë vota. Katër resorë duhet të jenë nga teknokrat, duhet të ketë kontroll mbi Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe Ministrinë e Bujqësisë”, theksoi Stevo Pendarovski nga LSDM.

Duke bërë analizë kronologjike mbi funksionimin e majtistëve në Evropë dhe vend, analistet janë të mendimit se edhe përkundër shumë të arriturave, majtistët gjithmonë kanë bartur përgjegjësi.

“Majtistët në Evropë, në këto 40-50 vitet e fundit kanë pasur një rëndësi thelbësore, në teori po, si inspiracion po, por vetëm në sqarimet zyrtare. Megjithatë, mendoj që në realitet nuk është kështu”, potencoi intelektuali, Arsim Zekolli.

“Situata në të cilën ka hyrë Maqedonia pas 20 viteve tranzicion drejt demokracisë, është një kthesë e ashpër mbrapa drejt diktaturës. Diktaturë, e cila shfrytëzon fasadë zgjedhore për fshehjen e sistemit partiak dhe heqjen e shtetit ligjor”, tha analisti, Lubomir Frçkovski.

Opozita dhe panelistët vlerësuan se vendi po shkon drejt diktaturës. (Sanije Kasami, TVM2)