Botë

Vendimi për Jerusalemin, protesta dhe dhunë në të gjithë Bregun Perëndimor

07.12.2017 15:00

Presidenti amerikan shkaktoi irritim anembanë Lindjes së Mesme me njoftimin e një dite më parë...

Presidenti amerikan shkaktoi irritim anembanë Lindjes së Mesme me njoftimin e një dite më parë, që përbën edhe një ndryshim drastik të politikës disa dekadëshe amerikane kundrejt Jerusalemit.
 
Gazeta libaneze “al-Akhbar”, që është gazetë pro Lëvizjes islamike Hezbollah,  i ka deklaruar “luftë deri në vdekje Amerikës” në faqen e parë të saj, ku shfaqet edhe një foto me flamurin amerikan duke u djegur.
 
Gazeta e quan vendimin “Balfurin e ri të Amerikës”, duke iu referuar “deklaratës së Balfurit”, në të cilën Britania e Madhe përcaktonte ngritjen e një shteti për hebrenjtë në Lindjen e Mesme thuajse një shekull më parë.
 
Hezbollahu, një organizatë e armatosur rëndë ushtarake dhe politike, ka luftuar përgjatë vitesh disa herë ndaj Izraelit që prej krijimit të saj në vitin 1982.
 
Protestat spontane nisën në Rripin e Gazës gjatë orëve të natës së djeshme, me disa të rinj të irrituar që digjnin goma makinash, flamuj amerikanë dhe izraelitë, si dhe postera të Trumpit, ndërsa frika sa vjen e rritet për gjakderdhje të reja në rajonin e trazuar.
 
Ushtria izraelite ka njoftuar se do të dërgojë disa batalione në Bregun Perëndimor përpara së premtes, ndërsa trupa të tjera ushtarake do të jenë në gatishmëri për të adresuar “çdo zhvillim të mundshëm”.
 
Palestinezët nisën greva në të gjithë Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës që prej së enjtes, ndërsa këtë të premte, pas lutjeve të mesditës, kanë nisur edhe protesta të dhunshme.