Botë

Erdogan vizitë historike në Greqi, e cilëson të vjetruar “Traktatin e Lozanës”; Pavlopulos: “Lozana”, e vetmja zgjidhje për paqen

07.12.2017 15:50

Presidenti turk, Recep Taip Erdogan, zhvilloi një vizitë historike në Greqi...

Por, me gjithë kujdesin protokollar, në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun grek, Prokopis Pavlopulos, u shpërfaqën përplasjet e hershme mes Turqisë dhe Greqisë.
 
Erdogan e cilësoi si të vjetruar Traktatin e Lozanës dhe ofroi ose përditësimin e tij dhe përshtatjen me kohën, ose nënshkrimin e një marrëveshjeje të re mes Athinës dhe Ankarasë.
 
Erdogan la të kuptohej se Greqia nuk e ka respektuar plotësisht këtë traktat, duke sjellë si shembull minoritetin mysliman në Trakë, të cilin Greqia e njeh si minoritet mysliman, ndërsa Erdogan thotë se ata janë turq.
 
“Në marrëveshjen e Lozanës shkruhet qartë se minoriteti në Trakë është turk dhe jo mysliman. Këtë qëndrim e ka mbrojtur edhe Gjykata Ndërkombëtare, por asnjëherë nuk është njohur dhe trajtuar si i tillë nga Athina. Në këtë pjesë të Greqisë ka përpjekje për të kontrolluar myftininë. Myftinjtë nuk e zgjedhin kryemyftiun. Atje ka tentativa të kontrollohet myftinia jo nga fetarët, por nga shteti”,- deklaroi presidenti i Turqisë, Recep Taip Erdogan.
 
Edhe presidenti grek, Prokopis Pavlopulos, bëri thirrje për më shumë bashkëpunim mes dy vendeve dhe shprehu gatishmërinë që Greqia të jetë porta hyrëse e Turqisë për në BE, por kur u cek Traktati i Lozanës, ishte i prerë.
 
“Kjo është dhe duhet të mbetet një vizitë historike për dy vendet, por edhe për rajonin. Dy vendet i lidh miqësi e vjetër. Jemi të gatshëm të jemi porta e Turqisë drejt Bashkimit Europian. Duhet të kemi respekt për të drejtën ndërkombëtare, si dhe respekt për standardet e arritura europiane. Respektimi i Traktatit të Lozanës është zgjidhja e vetme për paqen në rajon”,- theksoi presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopulos.
 
Sipas Erdoganit, gjithsesi kjo vizitë është mundësi për shtimin e bashkëpunimit, përmes të cilit do të lihen pas 65 vitet e kaluara dhe të shikohet drejt së ardhmes.
 
ERSAN PAJAZITI