Rasti “Dhuna në Qendër”, Zhernovski: Drejtësia po vjen ngadalë dhe sigurt
Gjykimi për rastin “Dhuna në Qendër” ka vazhduar me dëgjimin e dëshmisë.....

Gjykimi për rastin “Dhuna në Qendër” ka vazhduar me dëgjimin e dëshmisë së ish-kryetarit të Komunës Qendër, Andrej Zhernovskit.
Ai para trupit gjykues theksoi se protestat në Komunën Qendër kanë qenë masovike, të dhunshme dhe kanë shkaktuar ndjenjën e pasigurisë dhe frikës.
Ai më tej theksoi se ka qenë ish-këshilltarja, tani deputetja e VMRO-DPMNE-së, Daniella Rangellova, ajo që ka kërkuar nga Zhernovski të dalë para protestuesve dhe të ballafaqohet me ta. Sipas planit detal urbanistik, nuk ishte e paralajmëruar të rrënohej objekti fetar për të cilin supozohej se u zhvilluan protestat, por Këshilli u mblodh që të anulojë planin detal urbanistik.
“Thashë se drejtësia do të jetë e kapshme ngadalë por sigurt dhe filloi të çmontohet ajo që ishte krijuar më herët. E tregova atë që e përjetova më datën 7 dhe 10 qershor, kur u demolua objekti i Komunës. Tregova kush mori pjesë dhe shpresoj se dëshmia ime do të kontribuojë që ata që janë organizatorë të këtyre ngjarjeve të pakëndshme, të përgjigjen jo vetëm për atë që e kanë bërë, por me qëllim që kjo kurrë më mos të përsëritet”,- deklaroi dëshmitari, Andrej Zhernovski.
Gruevski gjykimin e quan pjesë të ndjekjes politike, pasi që po akuzohen për protesta dhe thyerje të disa dritareve.
“Jemi këtu me ditë dhe muaj në gjykata, sepse gjatë kohës së protestave janë thyer disa xhama të disa dritareve. Tani kërkojnë nëse ka pasur organizatorë dhe kush ka qenë. Një situatë absurde është që dëshmitarët janë kundërshtarët tanë direkt politik”,- tha i akuzuari, Nikolla Gruevski.
Për dallim nga deklarata e liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevskit, se po gjykohet për thyerje dritaresh dhe kinse shuplaka të porositura që asnjëherë nuk janë realizuar, prokurorja speciale, Fatime Fetai, deklaroi se ata ngarkohen për vepër penale “dhunë”.
“Nikolla Gruevski është i akuzuari për veprën penale “dhunë”, nga neni 386, paragrafi 2 nga Kodi Penal, për të cilin është e paraparë dënim prej 6 muaj deri më 5 vite”,- theksoi prokurorja speciale, Fatime Fetai.
Në seancat paraprake, fajin për ngjarjet para Komunës Qendër në qershor të vitit 2013 e pranuan i akuzuari i katërt, Tomisllav Llazarov, dhe i akuzuari i pestë, Jordan Ristevski. Gjykimi për këtë rast do të vazhdojë më 18 dhjetor me dëshminë e Zhernovskit. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)
