Punësimi i personave me hendikep, motoja “Çfarë munden dhe jo çfarë nuk munden”
“Çfarë mund të bëjnë personat me nevoja të veçanta dhe jo çfarë ata nuk mund të bëjnë”....

“Çfarë mund të bëjnë personat me nevoja të veçanta dhe jo çfarë ata nuk mund të bëjnë”. Kjo është qasja që duhet të kenë pronarët e kompanive në momentin kur të intervistojnë për punë personat me hendikep.
Ata nëpërmjet programit përmbyllës të projektit “Qasje drejt të drejtave të punës të personave me nevoja të posaçme" kërkuan përfshirje më të madhe në tregun e punës.
“Shpeshherë vlerësimet se sa këta persona mund të japin kontribut në punë gjithmonë vënë së pari dilemën se çfarë nuk është i aftë të bëjë ky person, në vend që të pyesim se çfarë mund të bëjë i njëjti. Ky projekt mbahet për këtë qëllim, që të vlerësojnë aftësinë e personave me invaliditet, sepse edhe ata mund të japin kontribut të madh në punë me atë që posedojnë”,- deklaroi kryetari i Lëvizjes për personat me Hendikep “Polio Plus”, Zvonko Savreski.
Nga Agjencia për Punësim vunë në dukje se ky institucion në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe do të vazhdojë të mbështesë njerëzit me aftësi të kufizuara.
“Për momentin në planin operativ për punësim të vitit 2018 janë paraparë pilot masa, program për vetëpunësim të personave me hendikep, aty ku ndahen mjetet e pakthyeshme si grande në sigurimin e pajisjeve, retro materiale, si dhe mbështetje me subvencione për këtë kategori të ndjeshme. Për momentin kemi subvencionuar 223 punësime të personave me hendikep”,- u shpreh kryetarja e Agjencisë për Punësim, Biljana Jovanovska.
Gjithashtu më këtë rast drejtuesit e Qendrave Tregtare kërkuan nga njerëzit të mos i zënë parkingjet e parapara për këtë kategori, sepse të njëjtëve ua vështirësojnë mënyrën e jetesës. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)
