Bashkëpunimi rajonal, Zaev: Ballkani perëndimor, pjesë e BE-së
Qeveria e Bullgarisë dhe Banka Botërore mblodhën liderët dhe zyrtarët e vendeve ballkanike....

Qeveria e Bullgarisë dhe Banka Botërore mblodhën liderët dhe zyrtarët e vendeve ballkanike në një konferencë të përbashkët, ku u diskutua bashkëpunimi rajonal dhe dinamika e procesit të integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, njofton “TVM2”.
Kryeministri, Zoran Zaev, me këtë rast ka thënë se Maqedonia dëshiron të marrë pjesë në të gjitha projektet rajonale dhe mund të jetë qendër transportuese në Ballkan, sepse nëpërmjet saj kalojnë dy korridore te rëndësishme, ai 8 dhe 10, ndërkaq që të hyjmë në strategjinë europiane duhet të vërtetojmë perspektivat tona europiane, ka shtuar Zaev.
“Ballkani është pjesë e Europës, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor. Mundësitë përmes zhvillimit të debateve dhe mundësive të resurseve financiare nga Banka Botërore për zhvillim infrastrukturor paraqet arsye serioze për ndërlidhje mes nesh dhe lidhjen tonë me BE-në”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
RAMA: VULLNETI POLITIK, PËR BASHKËPUNIM DHE STABILITET
Vullneti politik ndihmon në stabilitetin e përgjithshëm dhe së bashku duhet të investojmë në secilin projekt të përgjithshëm, është shprehur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Vazhdon procesi i bashkëveprimit për projektet në infrastrukturë, në energji, në infrastrukturën dixhitale si pjesë e procesit të Berlinit, por dhe si pjesëmarrje gjithmonë e më intensive e vetë vendeve të Ballkanit perëndimor në ndërveprim me Bankën Botërore dhe Komisionin Europian”,- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
EUROINTEGRIMET E BALLKANIT PERËNDIMOR, THAÇI: JEMI NË POZICIONIN MË TË PËRSHTATSHËM
Të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet t’u jepet perspektivë e qartë europiane dhe BE-ja të ketë qasje gjeostrategjike për rajonin, ka theksuar mes tjerash kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Me gjithë ato pengesa që kemi, sot është një fakt që Ballkani Perëndimor kurrë nuk ka qenë në një pozicion më të mirë për të shpejtuar procesin e përbashkët për integrim në BE”,- u shpreh presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Në Ballkan të gjithë duhet të jemi të rëndësishëm si gishtat e dorës. Atëherë zyrtarët e BE-së do të thonë se këta njerëz janë me logjikë.
“Historia është histori, ka kush ta komentojë”,- është shprehur nikoqiri i konferencës, kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov.
Në konferencë ka marrë pjesë dhe drejtoresha e përgjithshme ekzekutive e Bankës Botërore, Kristalina Georgieva, eurokomisari për fqinjësi të mirë, Johanes Han, si dhe zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë. (Nermin Mulaki - Fejzullahu, TVM2)
