KFB shterr diskutimin e amendamenteve
Komisioni amë për Financa dhe buxhet shterri diskutimin e amendamenteve për projektbuxhetin për vitin 2018....

Komisioni amë për Financa dhe buxhet shterri diskutimin e amendamenteve për projektbuxhetin për vitin 2018.
Në seancë, as sot nuk morën pjesë deputetët e VMRO-DPMNE-së. Kjo përshpejtoi shqyrtimin e amendamenteve të propozuara nga deputetët e koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE, pasi nuk kishte kush t’i arsyetojë ato.
Përderisa një ditë më parë u pranuan gjashtë amendamente, prej të cilave katër ishin të VMRO-DPMNE-së dhe dy të Lëvizjes BESA, sot komisioni u tregua më dorështrënguar, nuk pranoi asnjë amendament. Nuk u pranua as amendamenti i Lëvizjes BESA për rritjen e kapaciteteve të çerdheve në Strugë.
“Bëhet fjalë për objekte të amortizuara dhe me këto mjete ne propozojmë që të ndërtohet apo të sigurohet një objekt i ri ku fëmijët do të kenë kushte adekuate për të ndjekur procesin edukativ arsimor”,- deklaroi Rexhep Memedi nga Lëvizja BESA.
Nevojën për rritjen e kapaciteteve të çerdheve në Strugë e konfirmoi edhe deputeti i zonës nga Aleanca për Shqiptarët, Suria Rashidi.
“Aktualisht në çerdhet për fëmijë në Strugë ka kapacitet për përkujdesjen e 31 fëmijëve, është e saktë se aty ka mbi 500 fëmijë, ndërsa në listat e pritjes ka edhe mbi 100 fëmijë”,- u shpreh Surija Rashidi nga ASh.
Mirëpo zëvendësministrja për Financa, Shirete Elezi, duke arsyetuar refuzimin e amendamentit, tha se në rrjedhë janë shpalljet e Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale për këtë qëllim, ndërsa pritet të fillojë edhe projekti për ndërtimin e 100 çerdheve të reja, me para nga Banka Botërore.
“Amendamenti nuk pranohet për shkak se MPPS ka pasur shpallje publike në të cilën komunat kanë mundur të aplikojnë ose do të mund të aplikojnë pasi ka edhe thirrje të re në fund të muajit dhjetor për ndërtim, mbindërtim, apo zgjerimin e kapaciteteve ekzistuese të çerdheve”,- u shpreh zëvendësministrja për Financa, Shirete Elezi.
Nga 279 amendamente gjithsej, 204 janë të VMRO-DPMNE-së, ndërsa 75 të Lëvizjes BESA. Me Komisionin për Financa dhe Buxhet kryeson deputeti i LSDM-së, Vasko Kovacevski, i caktuar nga kryetari i Kuvendit, për shkak të disa pezullimeve të seancës nga kryetarja e Komisionit nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Liljana Kuzmanovska. (Shpëtim Nuredini, ТVM2)
