Jerusalem, vazhdojnë protestat e dhunshme
Tensionet vazhdojnë të mbeten pranë pikës së vlimit në Jerusalem...

Tensionet vazhdojnë të mbeten pranë pikës së vlimit në Jerusalem, pas vendimit të presidentit amerikan, Trump, që ta njohë qytetin si kryeqytet të Izraelit.
Në bregun perëndimor dhe në Betlehem vazhdojnë përplasjet e dhunshme mes policisë dhe protestuesve. Këta të fundit kanë hedhur gurë ndaj policisë izraelite, e cila është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës. Tensionet u rritën pas faljes së të premtes, sidomos në afërsi të xhamisë Al Aqsa.
Dhe frika për shtim të tensioneve nuk është e kotë. Është dita e tretë e protestave masive të palestinezëve, që po ndodhin pikërisht në 13 vjetorin e incidentit të përgjakshëm në Gazë, kur një kamion ushtarak goditi një makinë duke lënë të vdekur 4 palestinezë, ngjarje kjo që hapi rrugën për Intifadën e parë.
Kryengritjen e dytë palestineze kundër Izraelit e njohur dhe si “intifada al-Aksa”, e nxiti pikërisht vizita e ish-kryeministrit izraelit, Ariel Sharon, në Malin e Tempullit, që u pa nga palestinezët si gjest tejet provokues. Përplasja e madhe e nisur shtatorin e vitit 2000 do të mbyllej me vdekjen e 3.000 palestinezëve, 1.000 izraelitëve dhe 64 shtetasve të huaj.
Hamasi tashmë ka bërë thirrje për një Intifadë të re. Vetëm dje, në protestat në Bethlehem, Hebron dhe Gaza, 100 njerëz mbetën të lënduar. Është tashmë e qartë se vendimi i presidentit amerikan, praktikisht, rrëzoi dekada të tëra politike të ShBA-ve lidhur me statusin e Jerusalemit. Edhe pse ishte e qartë që në fillim se njoftimi i Donald Trumpit mbi Jerusalemin këtë javë do të ndikonte te procesi i paqes, Shtetet e Bashkuara i paralajmëruan palestinezët të mos i anulojnë bisedimet e parashikuara më vonë gjatë muajit mes zëvendëspresidentit amerikan, Mike Pence, dhe kreut të autoritetit palestinez, Mahmoud Abbas.
Një zyrtar i lartë palestinez e bëri të qartë se numri dy i administratës amerikane nuk do të jetë i mirëpritur, por Uashingtoni këmbëngul të tregojë se pezullimi i takimit do të jetë “kundërproduktiv”.
Tani nuk bëhet më fjalë për t’i dhënë një shtysë bisedimeve të paqes, por si mund të pengohet shpërthimi i një dhune të re. E teksa territoret palestineze gjëmojnë nga zemërimi, në Jerusalemin perëndimor ka hare.
Me ndryshimin e beftë të politikës amerikane nuk pajtohen as shumë aleatë të ngushtë të Uashingtonit, ndërsa Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe Liga Arabe do të mblidhen në ditët në vazhdim për të vendosur qëndrimin e tyre. (Migena Gorenca, TVM2)
