Pushimet verore, preokupim i qytetarëve

03.07.2014 16:42

Përderisa një pjesë e qytetarëve janë duke pushuar, të tjerët bëjnë plane ku do ta kalojnë pushimin verorë, sa para do të shpenzojnë dhe nëse do të udhëtojnë nëpërmjet agjencioneve turistike apo pushimin do ta organizojnë vetë.....

Përderisa një pjesë e qytetarëve janë duke pushuar, të tjerët bëjnë plane ku do ta kalojnë pushimin verorë, sa para do të shpenzojnë dhe nëse do të udhëtojnë nëpërmjet agjencioneve turistike apo pushimin do ta organizojnë vetë.

“Nuk kam shkuar përmes agjencioneve turistike, por vetëm”, tha një qytetare.

“Planifikoj përmes agjencionit turistik”, u shpreh një qytetar.

“Nuk ishte aspak e sigurt, shkuam në Bullgari, atje ku u vendosëm nuk kishte asgjë”, theksoi një qytetare.

Këtë vit ka interes më shumë për të pushuar në Shqipëri, Greqi dhe Turqi.

“Në Shqipëri janë ofertat mjaft ekonomike që të kalosh një pushim të mirë, çmimi është 20 euro mëngjes dhe darkë për person, fëmijët deri në 3 vjet nuk paguajnë, prej 3 vjet paguajnë 50 për qind, po ashtu për Greqi kemi oferta të mira 7 ditore, me çmim 80 euro është pako”, deklaroi përfaqësuesja e një agjencionit turistik, Liridona. 

Udhëtarët që do të organizojnë pushimet me anë të agjencioneve turistike, paraprakisht duhet të nënshkruajnë marrëveshje.

“Ekziston një marrëveshje si një lloj kontrate, që udhëtari i pranon rregullat e fluturimit, që ta kemi të dy palët, kjo do të thotë se me këtë garantohet ajo që është e shënuar, që është e paguar dhe gjithçka që përmban pushimi”, tha më pas Liridona.

Por, qytetarët ka raste kur nuk ndahen të kënaqur nga shërbimet e agjencioneve turistike. Gjatë kësaj periudhe, në adresë të Organizatës së Konsumatorëve kanë arritur mjaft ankesa, ku shprehen pakënaqësitë e turistëve nga organizimi i udhëtimit. Edhe pse pushuesi ka kërkuar të kishte dhomën me pamje nga deti, apo pako ekskluzive, një gjë të tillë nuk kanë fituar, njoftojnë nga Organizata e Konsumatorëve. Ata bëjnë thirrje që udhëtarët e zhgënjyer nga organizimi i agjencioneve turistike të reagojnë në afat prej 8 ditësh pas kthimit nga pushimi. 

“Nëse nuk është realizuar nga ana e organizatorëve të agjencionit,  në afat prej 8 ditësh të tregojnë pse nuk është respektuar marrëveshja dhe me prishjen e marrëveshjes, ata mund të kërkojnë kompensim të dëmit në afat prej 15 ditësh”, deklaroi kryetarja e Organizatës së Konsumatorëve, Marijana Lonçar–Velkova.

Në raste kur agjencioni nuk përgjigjet në kohë, udhëtari mund të drejtohet në Inspektoratin e Tregut apo të ngrejë procedurë gjyqësore. (Rina Turkeshi - Saiti)