BE dhe Britania, kthesë madhore në negociatat për ndarje

08.12.2017 17:47

Britania dhe Bashkimi Europian thonë se kanë siguruar kthesë madhore....

Britania dhe Bashkimi Europian thonë se kanë siguruar kthesë madhore në negociata për ndarjen e tyre, duke e krijuar bazën për një etapë të re në bisedimet për largimin e Britanisë nga BE-ja në procesin që njihet si Brexit.

Komisioni Europian ka njoftuar sot se në bisedimet ndërmjet dy palëve “është bërë progres i rëndësishëm”.

Presidenti i Komisionit Eropian, Jean-Claude Juncker, u tha gazetarëve në Bruksel, pas takimit të tij me kryeministren e Britanisë, Theresa May, sot herët në mëngjes, se beson se “tash ne kemi bërë një kthesë që ishte e nevojshme” dhe se do t’i njoftojë liderët e Bashkimit Europian se “është arritur progres i rëndësishëm” në bisedat për Brexit.

Kryeministrja May u tha gazetarëve se ajo pret që marrëveshja formale të miratohet më 14 dhjetor në samitin e liderëve të Bashkimit Europian në Bruksel.