LSDM: Buxheti në seancë plenare, në mes të javës që vjen
Pas miratimit të buxhetit për vitin 2018, në Komisionin për financim dhe buxhet....

Pas miratimit të buxhetit për vitin 2018, në Komisionin për financim dhe buxhet të shtunën pritet të mblidhet Komisioni ligjvënës- juridik për ta miratuar të njëjtin dhe më pas i dorëzohet Qeverisë, e cila do ta kompletojë atë me amendamentet e pranuara të VMRO-DPMNE-së dhe Lëvizjes BESA dhe i njëjti më pas do të kthehet për miratim në Kuvend.
Nga partia e kryeministrit Zoran Zaev, LSDM, bëjnë të ditur se “të shtunën pritet të mbahet seanca e Komisionit juridiko-ligjvënës, më pas buxheti dërgohet në Qeveri dhe pasi të kthehet nga Qeveria në Kuvend, duhet të kalojnë edhe të paktën tre ditë për t’u caktuar seanca plenare, që nënkupton se në seancë plenare buxheti do të jetë kah mesi i javës së ardhshme”.
Rreth propozim buxhetit në Komisionin amë u shqyrtuan 279 amendamente, shumica prej të cilave nga VMRO-DPMNE. Por, mungoi debati rreth amendamenteve, pasi deputetët e VMRO-së për shkak të paraburgimit të funksionarëve të saj po bojkotojnë punën e Kuvendit. Ndryshe, buxheti për vitin e ardhshëm peshon 3.5 miliardë euro.
