Deputetët e VMRO-së mbeten në paraburgim
Deputetët e VMRO-së, të akuzuar për terrorizëm, do të mbeten në paraburgim.....

Deputetët e VMRO-së, të akuzuar për terrorizëm, do të mbeten në paraburgim. Këshilli Penal hodhi poshtë ankesat e deklaruara kundër vendimit të gjykatësit në procedurë paraprake për masat paraburgim dhe paraburgim shtëpiak.
“Duke shqyrtuar ankesat e deklaruara kundër vendimeve të gjykatësit në procedurë paraprake për përcaktimin e masës paraburgim dhe paraburgim shtëpiak, me propozim të Prokurorisë Themelore Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, Këshilli Penal pranë Gjykatës Themelore Shkupi 1 – Shkup, mori vendim me të cilin konfirmon në tërësi vendimet e gjykatësit në procedurë paraprake me të cilat ishte pranuar propozimi i prokurorisë kompetente për caktimin e masës paraburgim për K. M. (Kërsto Mukovski) dhe L. A. (Ljuben Arnaudov), si dhe masën paraburgim shtëpiak për J. T. (Johan Tarcullovskin) dhe Zh. P. (Zhaklina Peshevska)”,- thuhet në kumtesën e Gjykatës Penale.
Ndërkaq, sa i përket ankesës kundër vendimit të gjykatësit në procedurë paraprake për deputetin S. V. (Sashe Vasilevski), opinioni do të informohet pasi të merret vendim. Gjykata njofton se, sa i takon vendimit në procedurë paraprake për L. D. (Lupço Dimovskit), nuk është deklaruar ankesë nga palët.
Prokuroria Publike akuzon 34 persona për "rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë" lidhur me ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e Republikës, kryesisht zyrtarë të VMRO-DPMNE-së, nëpunës në Kuvend dhe organizatorë të protestave “Për Maqedoni të përbashkët”. Pesë nga personat e akuzuar vazhdojnë të jenë të pakapshëm për MPB-në që nga aksioni i 28 nëntorit.
VMRO-DPMNE në opozitë e ka quajtur aksionin “hakmarrje politike” dhe ka organizuar disa protesta. Ndërkaq, që nga 28 nëntori bojkoton në heshtje edhe punën e Kuvendit të Republikës. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
