Maqedoni

Tsipras: Zgjidha e emrit është e mundur nëse Shkupi ndërmerr hapa pozitiv

09.12.2017 18:02

Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras pret që në vitin 2018 të ndodhin ndryshime në Ballkan...

Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras pret që në vitin 2018 të ndodhin ndryshime në Ballkan, por edhe të ketë lëvizje pozitive në lidhje me kontestin e emrit, në qoftë se, siç tha ai, Shkupi vendos të ndërmarrë hapa pozitiv në këtë drejtim.
 
“Vlerësoj se viti 2018 mund të jetë vit me rëndësi vendimtare për shumë çështje që kanë të bëjnë me këtë rajon. Do të doja të përmendi problemin për të cilin me vite të tëra merremi me ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Siç tha edhe miku im Borisov, çështja e Shkupit ndoshta në vitin 2018 do të përjetojë ndryshime pozitive nëse Qeveria e re në Shkup vendos të ndërmarrë hapa pozitiv drejtë gjetjes së zgjidhjes së këtij problemi. Nëse ata heqin dorë nga retorika dhe deklaratat se ato janë pasardhësit e vetëm të Aleksandrit të Maqedonisë dhe nga qëndrimet e tyre iredentiste, atëherë ndoshta mund të gjejmë zgjidhje të përbashkët. Në atë rast unë do të jem i pari që do të garantojë perspektivë evropiane dhe siguri për atë vend. Ne duam të krijojmë ardhmëri ku të gjithë do të jetojmë bashkë, në paqe dhe të bashkëpunojmë”, tha Alexis Tsipras, Kryeministri i Greqisë.
 
Ai shtoi se ky qëllim kërkon bashkëpunim, hapa nga të gjitha shtetet e rajonit dhe qartësim të qëndrimeve për çështje të rëndësishme për tërë rajonin.
 
Edhe kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, theksoi se kontesti mes Maqedonisë dhe Greqisë patjetër duhet të zgjidhet. Ai thotë se patjetër të gjithë të bashkohen dhe të ndihmojnë, Komisioni Evropian dhe Brukseli të miratojnë vendime të drejta, e jo të vendosin ultimatume.
 
“Ne duhet ta bëjmë punën tonë dhe tek më pas të tregojmë se çka propozojmë, ndërsa ata mbetet të vendosin, e pranojnë këtë apo jo”, tha Borisov,  Kryeministër i Bullgarisë.
 
Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrat e Bullgarisë, Rumanisë dhe Greqisë, në takimin në Beograd biseduan për kryesimin e Bullgarisë me BE-në si kryesim Ballkanik, për jetësimin e Agjendës së Selanikut të vitit 2003, për perspektivën evropiane të Ballkanit perëndimor dhe për projekte konkrete për bashkëpunim, siç janë lidhja energjetike dhe hekurudhore e vendeve të Ballkanit.
 
BESIM ABDULLAI