MINISTRIA E AMBIENTIT

Izairi: Angazhim maksimal për ruajtjen e ambientit

03.07.2014 17:36

Në takim janë shqyrtuar projektet që janë realizuar deri më tani mes zyrës së BE-së dhe Ministrisë së Ekologjisë, si dhe mundësitë e realizimit të projekteve tjera......

Ministri i Ekologjisë, Nurhan Izairi, ka pritur në takim pune ambasadorin e BE-së në Shkup, Aivio Orav. Në takim janë shqyrtuar projektet që janë realizuar deri më tani mes zyrës së BE-së dhe Ministrisë së Ekologjisë, si dhe mundësitë e realizimit të projekteve tjera.

Ministri, Nurhan Izairi, thotë se fillimisht ka qenë një takim njohës me ambasadorin.

“Qëllimi i këtij takimi ishte që të informohemi për projekte të ndërsjella me BE-në. Disa projekte janë në fazë të realizimit dhe projektet që priten të realizohen në të ardhmen. Ishte një takim njoftues dhe informues”, deklaroi ministri i Ekologjisë, Nurhan Izairi.

Në pyetjen se a do të arrijë që t’i zgjidh problemet rreth ndotjes së ajrit, u shpreh se si udhëheqës i dikasterit të ekologjisë, do të japë maksimumin për shëndetin e qytetarëve dhe ambientin jetësor në të gjithë vendin.

“Përpjekjet e mia do të jenë maksimale në zgjidhjen e këtyre problemeve që nuk janë të sotshme. Do të bëj përpjekje maksimale që të vijmë te zgjidhja e këtyre problemeve”, theksoi ministri i Ekologjisë, Nurhan Izairi.

Ministria e Ekologjisë, tani ka në mbikëqyrje dy kompanitë të cilat janë ndotësit më të mëdhenj të ajrit, ku janë dërguar aparaturë për matjen e ajrit dhe nëse rezultatet nuk korrespondojnë me legjislaturën për mbrojtjen e ambientit, atëherë do të ketë sanksione.  (Afrim Tanallari, TVM2)