Kulturë
Shfaqa “Armiku i Popullit”, prezantohet në Tiranë
03.07.2014 17:43
Me ftesë të Ambasadës Norvegjeze në Shqipëri dhe Kosovë, pjesa teatrore e ansamblit të aktoreve nga Shkupi dhe Kosova...

Me ftesë të Ambasadës Norvegjeze në Shqipëri dhe Kosovë, pjesa teatrore e ansamblit të aktoreve nga Shkupi dhe Kosova, “Armiku i Popullit “, shkruar nga dramaturgu i madh norvegjez, Henrik Ibsen, me regji të Dino Mustafiqit, u shfaq në Tiranë, në sallën e Teatrit Kombëtar.
Ambasada Norvegjeze në Shqipëri dhe Kosovë, i ftoi artistët nga Shkupi dhe Prishtina, të jenë pjesë e aktiviteteve kulturore që organizoi Ambasada në kuadër të 200 vjetorit të Shtetit norvegjez.
Në praninë e një publiku tepër të zgjedhur, Bajrush Mjaku në rolin kryesor, Ilire Vinca, Arta Selimi, Alban Ukaj, Adrian Morina, Bislim Muça, Salajdin Bilall e Fisnik Zeqiri, nëpërmjet lojës së tyre, sollën sintezën e pasojave të fuqisë së pushtetit mbi qytetarët dhe shoqërinë.
“Armiku i popullit” nga Ibsen, është konceptuar nga regjisori Dino Mustafiq si një ring luftërash për pushtet, ku aktorët janë luftëtarë dhe politika është një shesh lufte.
Shfaqja “Armiku i Popullit”, e cila ka rreth një vit që po shfaqet me sukses jo vetëm në Shkup, Prishtinë dhe Tiranë, por edhe jashtë kufijve tanë, është bashkëpunim i “Teatrit të një aktori” të Bajrush Mjakut dhe Teatrit “Oda” nga Prishtina.
MERITA ÇOÇOLI
