Nisin punimet e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit
Me një ceremoni rasti, filluan sot punimet për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, “Rruga 6”....

Me një ceremoni rasti, filluan sot punimet për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, “Rruga 6”. Autostrada Prishtinë-Hani i Elezit do të mbajë emrin Arbër Xhaferi.
Në hapje të ceremonisë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e vlerësoi shumë të rëndësishme këtë ditë, ndërsa bëri të ditur se autostrada do ta mbajë emrin e intelektualit dhe politikanit nga Maqedonia, Arber Xhaferit.
"Sapo nisëm ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, duke bërë një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të mëtutjeshëm të infrastrukturës së Kosovës. Kjo autostradë do të shërbejë si një arterie e zhvillimit ekonomik, do t'i bashkojë më shumë shqiptarët dhe do ta integrojë vendin tonë në rrjetet kryesore mbarë-evropiane të transportit. Ky projekt madhor shënon fillimin e jetësimit të misionit të ri dhe do të marrë emrin e intelektualit të shquar shqiptar, Arbër Xhaferit", - theksoi Thaçi.
Krahas përfaqësuesve politik nga Kosova, në ceremoni ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi, i cili vlerësoi se kjo autostradë ka një rëndësi të veçantë, sepse bashkon shqiptarët. (Gyltene Sinani, TVM2)
