Netanyahu: Jerusalemi, kryeqytet i Izraelit prej 3 000 vitesh
Kryeministri i Izraelit deklaroi se palestinezët duhet të “marrin përsipër”....

Kryeministri i Izraelit deklaroi se palestinezët duhet të “marrin përsipër” realitetin se Jerusalemi është kryeqyteti i Izraelit në mënyrë që të lëvizin drejt paqes. Benjamin Netanyahu tha se Jerusalemi ishte kryeqyteti i Izraelit për 3 000 vjet dhe nuk ishte “kurrë kryeqyteti i asnjë populli tjetër”.
Deklarata vjen në mesin e një vale protestash që kanë shpërthyer në botën myslimane dhe arabe, pas vendimit të ShBA-së për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Dhuna shpërtheu në afërsi të Ambasadës amerikane në Liban dhe gjetkë të dielën. Duke folur në Paris pas bisedimeve me presidentin francez, Emmanuel Macron, Netanyahu tha se përpjekjet për të mohuar “lidhjen mijëvjeçare të popullit hebre në Jerusalem ishin absurde”.
“Ju mund ta lexoni atë në një libër shumë të mirë – quhet Bibla”,- tha ai.
“Ju mund ta lexoni atë pas Biblës. Ju mund ta dëgjoni atë në historinë e komuniteteve hebraike nëpër diasporën tonë. Ku tjetër është kryeqyteti i Izraelit përpos në Jerusalem? Sa më shpejt që palestinezët të njohin këtë realitet, aq më shpejt do të shkojmë drejt paqes”,- theksoi ai.
