Bartolini: Shfrytëzim efektiv të fondeve europiane, Tevdovski: Të përmirësohet funksionimi i strukturave IPA
Maqedonia ka hapësirë për përmirësimin e shfrytëzimit të mjeteve nga IPA fondet.....

Maqedonia ka hapësirë për përmirësimin e shfrytëzimit të mjeteve nga IPA fondet, konstaton studimi “Udhëheqja me instrumentet për ndihmë paraqasëse”, ku u vlerësua se afatet dhe përkushtimi i punëtorëve që janë pjesë e strukturave IPA janë ndër problemet kryesore në vendin tonë.
Sipas shefit të Delegacionit Europian, Nikolla Bartolini, ka shumë njerëz që punojnë në sektorin e fondeve IPA, por ka pak të përkushtuar në punën që bëjnë.
“Në sistematizimin që ka në çdo institucion, ka shtatë persona që punojnë për fondet IPA, por unë asnjëherë nuk i kam njoftuar, më së tepërmi kam parë tre prej tyre. Duhet rritur numri i personave të angazhuar për fondet IPA dhe ata që punojnë t’i kryejnë me përgjegjësi obligimet e punës”,- deklaroi shefi i Delegacionit Europian, Nikolla Bartolini.
Ndërkohë, sipas ministrit të Financave, Dragan Tevdovskit, analizat kanë dëshmuar se nuk ka ekipe të mjaftueshme jo vetëm sa i përket numrit të punëtorëve, por edhe ka të punësuar me minimum njohuri dhe kualifikime për sferën e fondeve Ipa.
“Maqedonia ka shfrytëzuar 71.1 5 ose 437 milion euro nga buxheti i IPA 1, që arrin vlerën prej 652 milion eurosh, ndërsa 152.5 milion euro janë të pashfrytëzuara, apo 24.9% nga buxheti total”,- tha ministri i Financave, Dragan Tevdovski.
“Niveli i shfrytëzimit të fondeve është proporcionalisht i lidhur me progresin në sferën e eurointegrimeve, ndërsa analiza tregon shfrytëzim prej 71%”,- u shpreh Fani Karanfillova Panova nga Fondacioni “Shoqëri e hapur”.
Ekziston rënie graduale e shfrytëzimit të IPA fondeve, andaj duhet të përmirësohet funksionimi i IPA strukturave në pajtueshmëri me rekomandimet e BE-së, u tha në studimin që u realizua nga Qendra për Strategji Europiane dhe Fondacioni “Shoqëri e hapur”. (Flutura Latifi, TVM2)
