Masakra në Lubeten - plagë e pashuar e 2001-it, kërkohet dëmshpërblim prej 1 milion euro
12 gushti i vitit 2001 ishte i kobshëm për familjen Jusufi dhe 9 familjet e tjera të fshatit Lubeten....

12 gushti i vitit 2001 ishte i kobshëm për familjen Jusufi dhe 9 familjet e tjera të fshatit Lubeten, pasi u vranë dhjetë civilë. Nëna Zejnepja me lot në sy rrëfen momentin trishtues kur forcat policore ia vranë djalin në prag të derës së shtëpisë, njofton “TVM2”.
Rami Jusufi ishte në mesin e civilëve të vrarë në aksionin policor që zgjati për katër ditë të tëra në fshatin Lubeten e që lanë gjurmë të pashlyera për ketë fshat, e posaçërisht familjarët e të ndjerëve. Ai pas vetes la familjen dhe 4 fëmijë të mitur, prej të cilëve më i vogli ka qenë vetëm 18 muaj. E papërshkruar dhe e rëndë është ndjenja të rrisësh katër jetimë, rrëfen nëna e të ndjerit.
“Na hynë ushtria brenda, na e dogjën derën e madhe me granatë dhe u rrëzuan në tokë, hynë brenda dhe djali doli të shohë se çka u bë, ata gjuajtën dhe e vranë. E vranë dhe mbetëm ashtu pa ndihmë pa asgjë, prej nga të kërkosh ndihmë? Plaku ishte në karrocë të invalidëve, e dogjën edhe bombolën e gazit, na mbuloi tymi dhe flaka, ata dolën ndërsa ai menjëherë vdiq pa ndihmë. Në mëngjes s’kishim ku ta dërgojmë, e varrosëm në kopsht, nuk na lejonin ta dërgojmë tek varrezat, pasi kishte të shtëna, pas tre javëve e varrosëm tek varrezat. Të gjithë fëmijët kur thërrisnin baba, këta s’kishin kujt t’i thërrasin…”,- u shpreh nëna e Rami Jusufit, Zejnep Jusufi.
Nëna e të ndjerit, Rami Jusufi, më tej sqaron se forcat policore pas vrasjes shkatërronin gjithçka që u vinte para, ndërkaq shtëpia e tyre ka qenë vendi ku janë stacionuar forcat policore prej ku dhe kanë sulmuar tërë fshatin.
“Na mbuloi flaka, nuk shihnim asgjë nga tymi, nuk kishim as ujë. 24 orë kemi ndenjur pa ujë, pa asgjë. Tarçullovski dhe Boshkovski rrinin përballë”,- theksoi nëna e Rami Jusufit, Zejnep Jusufi.
Që drejtësia sado pak të zë vendin e duhur që nga viti 2004 e deri më tani, familja Jusufi zvarritet seancave gjyqësore në kërkim të dëmshpërblimit nga shteti, konkretisht Ministria e Punëve të Brendshme dhe Johan Tarçullovski, i cili edhe në bazë të aktvendimit të plotfuqishëm të Gjykatës Ndërkombëtarë ka qenë pjesë e strukturës policore e cila ka zhvilluar aksionin në fshatin Lubeten.
Tarçullovski në bazë të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë u shpall fajtor për dhënie të urdhrit, planifikimit dhe nxitjes së ngjarjes së krijuar. Familja kërkon 1 milion euro dëmshpërblim.
“Kërkesa jonë e padisë bazohet në atë që ekziston vendim i plotfuqishëm i Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë, ku i dënuari, Johan Tarçullovski, është shpallur fajtor për ngjarjet në vitin 2001 në Lubeten. Në këtë vendim thuhet se Johan Tarçullovski është fajtor edhe për vrasjen e Rami Jusufit. Kërkohet 1 milion euro dëmshpërblim për pasardhësit ligjorë të tani të ndjerit Rami Jusufi”,- tha avokati, Asmir Alispahiq.
Më 19 dhjetor pritet që Gjykata Themelore 2 në Shkup të vendosë rreth kësaj padie. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)
