Maqedoni
Gruevski deponoi dorëheqjen e parevokueshme, lideri i ri i VMRO-së zgjidhet në kongres
11.12.2017 16:01
VMRO-DPMNE do të zgjedh kryetar të ri të partisë më 22 dhe 23 dhjetor, pasi kryetari i deritanishëm, Nikolla Gruevski...

VMRO-DPMNE do të zgjedh kryetar të ri të partisë më 22 dhe 23 dhjetor, pasi kryetari i deritanishëm, Nikolla Gruevski, deponoi dorëheqje të parevokueshme në mbledhjen e Komitetit qendror të partisë. Në kongresin e jashtëzakonshëm në Vallandovë, do të marrin pjesë 544 delegatë nga kongresi i fundit i VMRO-DPMNE-së, të cilët do të zgjedhin pasardhësin e Gruevskit.
Analistët presin që udhëheqja e re të konsolidojë radhët e saj dhe të ketë qasje konstruktive ndaj procesit të reformave dhe jo ta frenojë atë.
“Me qëllim që ne të përfitojmë një opozitë serioze, një opozitë e cila do të jetë korrektiv, serioz i partive në pushtet. Ne na duhet një VMRO e cila do të largohet nga e kaluara, VMRO e cila do të reformohet brenda, ideologjikisht do të konsolidohet, do t’i marrë ato drejtimet e qendrës së djathtë europiane dhe një VMRO e cila nuk do ta obstruojë edhe procesin e reformave, por edhe ballafaqimin me gjyqësorin të gjithë atyre të cilët e kanë udhëhequr në kaluarën”,- deklaroi analisti politik, Albert Musliu.
Sipas vendimit të Komitetit Qendror të VMRO-DPMNE-së, kandidati për kryetar të partisë mund të propozojnë së paku 30 delegatë në Kongres, ndërsa një delegat mund të përkrahë vetëm një kandidaturë për kryetar. Sipas këtij vendimi, kandidaturat mund të dorëzohen më së voni deri më 21 dhjetor.
Megjithëse për momentin nuk ka konfirmim zyrtar, kandidatët më seriozë për pozitën e kryetarit të VMRO-DPMNE-së, sipas burimeve të partisë, janë Hristijan Mickovski, Nikolla Poposki, Antonio Miloshoski dhe Ilija Dimovski.
NAIM RAMADANI
