Maqedoni

Dorëheqje në KShZ pas bonuseve të larta, dorëhiqet kryetari Çiçakovski dhe dy anëtarë

11.12.2017 16:50

Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Aleksandar Çiçakovski, ka parashtruar kërkesë për dorëheqje nga posti i kryetarit të Komisionit...

Çiçakovski tha se dorëheqja është akt i tij personal. Përveç kryetarit të KShZ-së, dorëheqje kanë parashtruar në arkivin e Kuvendit republikan edhe anëtarët e këtij komisioni të propozuar nga LSDM, Igor Milev dhe Violeta Duma.Këto dorëheqje vijnë pasi ambasadori amerikan në vend, Xhes Bejli, njoftoi se anëtarët e KShZ-së kishin marrë kompensime të larta për ciklet e fundit të zgjedhjeve, pas çka pasoi reagimi i opinionit përfshirë edhe një peticion në internet për dorëheqjen e anëtarëve të KShZ-së.
 
Kryetari i KShZ-së, Aleksandar Çiçakovski, nënkryetari, Rexhep Prekopuca, dhe anëtarët, Atanas Urumov, Violeta Duma, Igor Milev, Subhi Jakupi, Sasho Srcev dhe Silvana Boneva për angazhimin e tyre në zgjedhjet e fundit lokale i kanë ndarë vetes nga katër paga shtesë, derisa anëtarët, Bedredin Ibrahimi dhe Salije Asani, kanë marrë nga dy paga neto.
 
Po ashtu për zgjedhjet që duhej të mbahen në prill të vitit të kaluar anëtarët e KShZ-së kanë marrë tri paga mujore, derisa për zgjedhjet e parakohshme parlamentare kishin vendosur të marrin bonus në vlerë prej pesë pagash. I pyetur për dorëheqjen në KShZ, kryeministri, Zoran Zaev, tha se vendimi për të ndarë kompensime financiare ka qenë i ligjshëm, por ata kanë vendosur të bartin përgjegjësi si akt moral.
 
“Vendimin që e sollën e di se ishte i ligjshëm, por me siguri jomoral dhe joetik, prandaj unë e përshëndes aktin e gjithë anëtarëve për kthimin e parave në buxhet dhe njëherit kanë bartur përgjegjësi personale si hap moral, me siguri për shkak të kritikave të opinionit dhe asaj me të cilën u përballën. Bëhet fjalë për profesionistë për të cilët unë me siguri do të kujdesem edhe më tej, por njëkohësisht paraqitën porosi serioze për sjellje etike dhe morale për të cilat opinioni di të reagojë, me siguri për shkak të vendimit jotransparent që e sollën dhe për shkak se paraprakisht nuk e njoftuan opinionin për qëllimin e shfrytëzimit të nenit 19, që u mundëson kompensime plotësuese”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Derisa lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, thotë se askush nuk mund të jetë mbi ligjin.
 
“Askush mbi ligjin nuk mund të jetë”,- u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Mandati i anëtarëve të KShZ-së ishte paraparë të zgjaste deri në vitin 2020, ndërsa ata u zgjodhën në vitin 2015 pas arritjes së Marrëveshjes së Prizhinës. Dorëheqje kanë paralajmëruar edhe anëtarë tjerë, por ato ende nuk janë publikuar zyrtarisht. 
 
BELINDA KOKA-ADEMI