Maqedoni
LSDM, BDI, LR - PDSh dhe Pushteti Lokal, deklaratë për të luftuar korrupsionin
11.12.2017 17:45
Përfaqësuesit e Koalicionit qeveritar LSDM, BDI, LR-PDSh dhe përfaqësues të pushtetit lokal, nënshkruan deklaratë me të cilën u zotuan se do të luftojnë korrupsionin dhe ryshfetin në vend...

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit dhe të Drejtave të Njeriut, 9 dhe 10 dhjetor, ata paralajmëruan zero tolerancë për korrupsionin, ndëshkimin e të gjitha formave të tij dhe respektimin e të drejtave të njeriut në vend.
“Ajo që na nevojitet është aksion gjithëpërfshirës për çrrënjosen e korrupsionit në të gjitha nivelet e institucioneve dhe gjithashtu është e nevojshme që të reagohet qartë për praktikat korruptive në sektorin privat, që pasoja e të cilave mund të përhapen edhe në sferën publike. Në këtë drejtim duhet ndaluar dhe nepotizmin dhe favorizmin politik për çështje të lidhura ku ka konflikt interesash”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
“Jam zotuar dhe njëherit jam betuar që në fillim të veprimtarisë sime, që do të luftoj çdo dukuri të keqe për shoqërinë, për qytetarët dhe këtë e kam dëshmuar edhe me vendim të organeve më të larta të partisë, që të hapet hetim ndaj BDI-së prej vitit 2002 deri më 2017, hetim i vërtetë që gjithçka të dalë në sipërfaqe, për çdo funksionar për veprimtarinë e tij, për punën e tij, sepse mendojmë se vetëm kështu ne mund të vendosim punën e vërtetë në vend”,- u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Në këtë drejtim, Zaev tha se dëshiron përmes një procedure transparente gjyqësore dhe përmes prezantimit të tërësishëm të video-incizimit të tij për rastin “Ryshfet” të dëshmojë se është i pafajshëm për atë që akuzohet. Për ndërkombëtarët nuk ka dyshime se pa vepra konkrete në praktikë nuk mund të priten rezultate.
“Angazhimi juaj tregon qartë se dëshironi vendin ta çoni në drejtim tjetër pozitiv, ku do të ketë sundim të ligjit dhe se do të dënohen të gjithë ata që do të punojnë kundër ligjin. Liderët politikë duhet me sjelljen e tyre personale të japin këtë shembull dhe të luftojnë çdolloj korrupsioni në vend”,- deklaroi ambasadori i SHBA-ve në Shkup, Xhes Bejli.
“Pas nënshkrimit të kësaj deklarate nevojiten edhe vepra konkrete nga politikanët dhe qytetarët, duke refuzuar të marrin ryshfet dhe të jenë të korruptuar”,- tha koordinatorja e përhershme e KB-së në Shkup, Luiza Vinton.
Nënshkrimi i deklaratës u organizua nga Komiteti i Helsinkit, ndërsa si stimul për institucionet dhe individët që do të respektojnë në të ardhmen të drejtat e njeriut është parashikuar të ndahet edhe çmimi “Mito Jovanovski”.
REXHEP QAMILI
