Maqedoni

Organizatat mjedisore: nuk mjafton 0,4% e buxhetit për mbrojtjen e ambientit

11.12.2017 17:54

Në rrethana kur ndotja e ajrit vazhdon të mbetët problem i madh për vendin, ndarja e 0,4 për qind të mjeteve..

Në rrethana kur ndotja e ajrit vazhdon të mbetët problem i madh për vendin, ndarja e 0,4 për qind të mjeteve për këtë problematikë nga buxheti për vitin 2018 ka nxitur reagime te organizatat mjedisore. Nisma qytetare "Koalicioni O2 për ajër të pastër" kërkon që të ndahen të paktën 2,5 për qind. 
 
“Buxheti i propozuar për 2018-n, i cili po na provokon neve pasi që është vetëm 0,4% dedikuar mbrojtjes së ambientit jetësor, duke pasur parasysh problemet që i kemi pasur dekada me radhë dhe problemi sa vjen e zmadhohet, ndërkaq zgjidhje nuk ka. Kërkojmë që të na marrin në konsideratë me qëllim që të fillojë të zgjidhet problemi. Qeveria përpara se të vinte në pushtet deklarohej si shumë e interesuar për ajër të pastër, por ky buxhet kaq i vogël nuk flet për zgjidhje të problemit”,- deklaroi Tatijana Çakulev nga Koalicioni për Ajër të Pastër.
 
“Konsideroj se problemi i ndotjes së ajrit në të gjithë territorin e vendit po bëhet një fatkeqësi elementare dhe në këtë gjendje ai i cili është më kompetent nuk ndërmerr asgjë, neve nuk na mbetet asgjë tjetër përpos se të kalojmë në një instancë tjetër institucionale, ndërsa ajo quhet kërkesë dhe trokitje në dyert e gjykatave ndërkombëtare, sepse shteti ynë është nënshkruese e shumë marrëveshjeve dhe asgjë tjetër nuk na mbetet përpos këtij hapi dhe ndoshta paralelisht do të kemi edhe protesta më radikale dhe jo si ato që i kemi bërë deri më tash në mënyrë paqësore”,- tha aktivisti, Dushko Gruevski.
 
Përfaqësuesit e koalicionit këtë kërkesë ia kanë dorëzuar edhe qeverisë. Republika e Maqedonisë në vazhdimësi i shkel dhe nuk i respekton të drejtat e ndërlidhura me mjedisin e jetesës, theksojnë organizatat mjedisore. Sipas tyre, problemi është aq serioz i barabartë me "eko-gjenocid", prandaj ata vlerësojnë se për këtë krim ndaj natyrës duhet të ndahen më shumë mjete buxhetore. 
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU